ShBA-ja prapë kundër botës, i refuzon thirrjet globale për armëpushim në Gazë
Shtetet e Bashkuara i kanë refuzuar thirrjet globale për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, duke argumentuar se ai “nuk është përgjigjja e duhur tash për tash”.
Zëdhënësi për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i bëri këto komente të hënën, duke sugjeruar se, në vend të armëpushimit, të bëhen “pauza” për ta lejuar shpërndarjen e ndihmave brenda Gazës, raporton televizioni BBC.
Tani për tani, furnizimet me ushqim, ujë, karburant e ilaçe për popullsinë prej 2,2 milionë banorësh në Gazë janë në nivel të ulët në masë të rrezikshme. Megjithatë, Izraeli është zotuar se nuk do të ketë armëpushim derisa Hamasi të çmontohet.
“Thirrjet për armëpushim janë thirrje që Izraeli të dorëzohet para Hamasit, të dorëzohet para terrorizmit... Kjo nuk do të ndodhë”- tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Duke folur në një konferencë për gazetarë, Kirby tha se kishte besim që më shumë kamionë me ndihma do të mund të hyjnë në Gazë përmes Egjiptit.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë biseduar me Qeverinë e Izraelit për rritjen e numrit të kamionëve që e kalojnë kufirin në rreth 100 në ditë.
Rreth 45 kamionë hynë në Gazë përmes pikëkalimit “Rafah” nga Egjipti të dielën, tha Kirby, por ai pranoi se do të nevojiten më shumë kamionë me ndihma.
“Ne dimë se edhe kjo, që është përmirësim dramatik në krahasim me atë ku jemi tani, përsëri nuk do të jetë e mjaftueshme”- tha ai në konferencën për gazetarë.
Philippe Lazzarini, komisionar i përgjithshëm i agjencisë së OKB-së për ndihma, UNRWA, i kishte thënë më parë televizionit BBC se rreth 500 kamionë me ndihma kishin hyrë në Gazë para fillimit të luftës.
Izraeli është duke e bombarduar Gazën nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, nga i cili u vranë rreth 1.400 njerëz në Izrael e 229 persona u morën peng për t’u dërguar në Gazë nga Hamasi.

