Situatë katastrofike në Gaza, Save The Children: Mbi 3 mijë nga viktimat janë fëmijë
Ministria e Shëndetësisë palestineze ka njoftuar se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite ka kaluar në mbi 8 mijë, ndërsa sipas organizatës Save The Children mbi 3 mijë nga viktimat janë fëmijë, duke tejkaluar kështu numrin vjetor të të gjithë fëmijëve të vrarë në të gjitha zonat e konfliktit në botë që nga viti 2019.
Pra një situatë e dhimbshme, një numër i viktimave i paparë në dekada të dhunës izraelito-palestineze, dhe i cili pritet të rritet edhe më shumë teksa Izraeli do të zgjerojë ofensivën tokësore.
Në një zhvillim tjetër është njoftuar se Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka vizituar kalimin kufitar Rafah të shtunën nga ku edhe është informuar për dëmet e shkaktuara nga sulmet ajrore izraelite ndaj palës palestineze. Kryeprokurori Karin Khan ka njoftuar se gjykata ka hapur "hetime aktive" për veprimet e fundit izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke e cilësuar vuajtjen e civilëve palestinezë si shumë të thellë, megjithatë nuk e ka akuzuar Izraelin për krime lufte, duke bërë vetëm thirrje që ta respektojë ligjin ndërkombëtar.
E përderisa, ushtria izraelite ka njoftuar se ka goditur më shumë se 450 objektiva militantësh gjatë 24 orëve të fundit, gjendja brenda Gazës është katastrofike, ku përvec që po plagosen e po vriten fëmijë të shumtë, sipas UNICEF-it edhe ata që po mbijetojnë janë në kushte të tmerrshme për shkak të mungesës së furnizimeve. Duke cituar një anëtare të kësaj organizate, zëdhënësi ka thënë se “fëmijët në Gaza po pijnë vetëm ujë të kripur”.
Dihet se deri më tani janë lejuar 94 kamionë ndihma për në Gaza përmes pikëkalimit të Rafa, megjithatë furnizimet duket se janë minimale për nevojat e jashtëzakonshme në vendin me mbi 2 milionë banorë. Lidhur me gjendjen e civilëve atje ka pasur reagim edhe nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili përmes një telefonate të realizuar me kryeministrin izraelit Netanyahu të dielën, ka theksuar nevojën e menjëhershme për të rritur rrjedhën e ndihmës humanitare e për të përmbushur nevojat e civile.
Në anën tjetër autoritetet izraelite kanë thanë se së shpejti do të lejojnë më shumë ndihma humanitare të hyjnë në Gaza, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.
Le të kujtojmë se ushtria izraelite është duke zgjeruar gradualisht operacionet e saj tokësore në Gaza, e përkundër kësaj militantët palestinezë kanë vazhduar të hedhin raketa drejt Izraelit. Pra, asnjë nga palët duket se nuk ka në mendje të zmbrapset e ndërsa në nisjen e ofensivës tokësore do të luftohet në zona të dendura banimi, numri i viktimave pritet të rritet në nivel katastrofik.

