Çfarë politikash mbështet kandidati i CDU/CSU-së për kancelar të Gjermanisë? - NACIONALE

Çfarë politikash mbështet kandidati i CDU/CSU-së për kancelar të Gjermanisë?

2 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Friedrich Merz, kryetar i Kristian-Demokratëve, dhe Markus Soeder, kryetar i partisë CSU, thanë të martën se ishin pajtuar që Merzi të jetë kandidat për kancelar të Gjermanisë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Konservatorët janë në rrugë të mirë për t’i fituar ato zgjedhje, por cilat janë pozicionet politike të kandidatit të kësaj aleance?

Politika ekonomike

Në librin e tij të vitit 2008, “Guxoni për më shumë kapitalizëm”, Merzi paralajmëron kundër rrezikut të rregullave të tepërta shtetërore dhe është në favor të një ekonomie me më shumë treg të lirë. Ai ende bën thirrje për më pak rregulla, më pak burokraci dhe taksa më të ulëta për ta nxitur rritjen ekonomike, ndërkohë duke u siguruar që të ekzistojnë kushtet – si çmimi më i ulët i energjisë – që Gjermania të mbetet konkurruese, raporton agjencia “Reuters”.

Ai e ka sulmuar Qeverinë në veçanti për përpjekjet e saj për të orkestruar një tranzicion drejt një ekonomie më neutrale ndaj lirimit të karbonit duke favorizuar sektorë dhe teknologji të caktuara si automjetet me rrymë.

Merzi e mbron thjeshtimin e sistemit të taksave dhe uljen e tyre, sidomos për bizneset, që ai ka vlerësuar se do t’i kushtonte shtetit rreth 20 deri 30 miliardë euro në të hyra, por do të kontribuonte në rritje më të madhe.

Ukraina

Merzi ka marrë pozicion më të ashpër në mbështetje të Ukrainës në krahasim me Qeverinë, duke e përkrahur ofrimin e armatimit të rëndë për Kievin një kohë të gjatë para pushtetit.

Ai e mbështet furnizimin e Ukrainës me aeroplanë luftarakë dhe me raketa “Taurus” – lëvizje që Qeveria dhe publiku gjerman e kundërshtojnë. Ai ka deklaruar se “Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë”.

ShBA-ja

Merzi e ka udhëhequr për dhjetë vjet shoqatën Ura e Atlantikut, që i promovon marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Sa u përket zgjedhjeve presidenciale në ShBA, ai në të kaluarën ka shprehur kritika të ashpra ndaj të nominuarit republikan për president, Donald Trump.

Pas sulmit ndaj Capitol-it më 6 janar 2021, Merzi kishte thënë se Trumpi “qartazi nuk është demokrat”.

BE-ja

Merzi ka qenë ligjvënës evropian në periudhën 1989 – 1994. Ai e ka përshkruar veten si “evropian i bindur”. Edhe pse në opozitë, Merzi në fund të vitit të kaluar u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Më herët këtë muaj, ai e kundërshtoi sugjerimin e ish-guvernatorit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, që BE-ja të marrë më shumë borxh të përbashkët për t’i financuar investimet shumë të nevojshme.

Kina

Merzi rishtazi ka marrë qëndrim më të ashpër ndaj Kinës se kancelari Olaf Scholz, duke e kritikuar vendimin e tij për ta miratuar marrjen e aksioneve nga një kompani shtetërore kineze në portin e Hamburgut dhe duke e mbrojtur bashkërendimin më të madh me aleatë kyçë sa i përket Kinës.

Izraeli

Ai është përkrahës i palëkundur i Izraelit dhe e ka kritikuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për lëshimin e urdhërarrestit për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Ai gjithashtu ka bërë thirrje që shtetësia në Gjermani të kushtëzohet me njohjen e së drejtës së Izraelit për të ekzistuar.

Imigrantët

Merzi ka bërë thirrje që azilkërkuesve t’u refuzohet hyrja në kufijtë tokësorë të Gjermanisë, nëse ata arrijnë nga shtete të tjera të BE-së, dhe i ka kritikuar beneficionet e mirëqenies për refugjatët, duke i akuzuar ukrainasit për “turizëm të mirëqenies”.

Ai thotë se politika e Gjermanisë rreth imigrantëve duhet t’u përshtatet nevojave të ekonomisë, në aspektin e mungesës së punëtorëve të kualifikuar, dhe aftësisë së imigrantëve për t’u integruar./Reuters/Nacionale

Lajme të ngjashme