Çfarë ndodhi në luftën Rusi-Ukrainë brenda javës? - NACIONALE

Çfarë ndodhi në luftën Rusi-Ukrainë brenda javës?

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndërsa lufta Rusi-Ukrainë është duke vazhduar, më poshtë ju sjellim zhvillimet më kyçe të javës, nisur me sulmet me raketa ruse e çështjen e grurit ukrainas të bllokuar në Detin e Zi.

Vdekja e katër vjeçares Liza Dmitrieva

Jeta dhe vdekja e katër vjeçares Liza Dmitrieva, e cila u vra në një sulm me raketa ruse në qytetin qendror të Ukrainës, Vinnytsia të enjten, është bërë simbol i një konflikti ku vdekja shpesh vjen pa paralajmërim dhe nga lart.

Një seri videosh dhe imazhesh të postuara në rrjetet sociale kanë gjurmuar orët e fundit të Lizës, para se të vritej nga sulmet me raketa gjatë rrugës për në qendrën mjekësore.

Sulmi vrau gjithashtu të paktën 23 persona të tjerë, ndërsa presidenti Volodymyr Zelenskiy e quajti "një akt të hapur terrorizmi", duke thënë se: “Rusia çdo ditë shkatërron popullsinë civile, vret fëmijë ukrainas dhe drejton raketa drejt objektivave civile ku nuk ka asgjë ushtarake. Çfarë është ky nëse jo një akt i hapur terrorist? Është një shtet vrasës. Një shtet terrorist.”

Mbi 100 anije me grurë të ngecura në Detin e Zi

Një bllokim trafiku prej më shumë se 130 anijesh mallrash të ngarkuara me grurë ukrainas po pret në Detin e Zi për të kaluar në Danub ndërsa negociatorët nga Moska, Kievi, OKB-ja dhe Turqia përshëndetën përparimin në bisedimet në Stamboll për lehtësimin e eksporteve bujqësore të Ukrainës.

Kriza e shtyu Turqinë të nxisë për një marrëveshje me Ukrainën, Rusinë dhe OKB-në që synon rifillimin e eksporteve të grurit ukrainas të bllokuara nga Rusia, duke rritur perspektivat për t'i dhënë fund një bllokimi që ka ekspozuar miliona njerëz ndaj rrezikut të urisë.

Ministri i mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, tha të mërkurën se marrëveshja do të nënshkruhet kur palët të takohen sërish javën e ardhshme dhe do të përfshijë kontrolle të përbashkëta në porte, me Turqinë që do të garantojë sigurinë e rrugëve të eksportit të Detit të Zi për grurin ukrainas.

Chasiv Yar përballet me goditje vdekjeprurëse

Në qytetin e vogël të Chasiv Yar, jo shumë larg vijës së frontit lindor të Ukrainës, punonjësit e shpëtimit kërkuan nëpër rrënoja pasi një raketë ruse goditi një ndërtesë apartamentesh pesëkatëshe të shtunën në mbrëmje, duke vrarë të paktën 48 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Sulmi me raketa, ishte i fundit në një shpërthim të sulmeve me viktima të larta dhe një nga humbjet më të mëdha të jetëve në Donbas.

Ukraina godet qytetin e kontrolluar nga Rusia me raketa të furnizuara nga ShBA

Të paktën shtatë persona thuhet se u vranë të martën nga një sulm raketor ukrainas në një dyqan të madh municionesh në qytetin Nova Kakhovka, në Kherson të pushtuar nga Rusia, në një sulm që i atribuohet armëve amerikane të blera së fundmi.

Kievi tha se kishte nisur një breshëri artilerie që shkatërruan një depo armësh ruse, duke goditur artileri, automjete të blinduara "dhe një magazinë me municion".

Ndërsa, zyrtarët pro-rusë dhe disa komentues ukrainas sugjeruan se shpërthimi ishte rezultat i një sulmi nga sistemi raketor Himars.

Sipas The Guardian, vendosja dhe efektiviteti i sistemit Himars ka shkaktuar shqetësim në rritje midis figurave pro-ruse dhe blogerëve ushtarakë në Rusi. Ndërkohë që, vëmendja ndërkombëtare është përqendruar në sukseset e fundit të Ukrainës duke përdorur sistemin për të synuar logjistikën kryesore ruse dhe rrjetet e komandës dhe kontrollit.

Minat detare: rreziku vdekjeprurës që fshihet në ujërat e Ukrainës

Më 11 qershor, një 50-vjeçar hyri në ujërat e qeta të një plazhi në qytetin ukrainas të Odesës. Çdo fundjavë në verë, ai zhytej në detin e cekët dhe kërkonte për kërmijtë e detit. Por me këtë rast ai nuk do të kthehej më, pasi një minë shpërtheu, duke e vrarë atë në çast, ndërsa familja e tij e shikoi rastin e tmerruar.

Serhiy Bratchuk, një zëdhënës i administratës ushtarake rajonale të Odesës, tha se në zonën detare të Ukrainës janë hedhur midis 400 dhe 600 mina nga Rusia.

Ndërkohë që, ekspertët pajtohen se mund të duhen vite të tëra për të çminuar Detin e Zi dhe çdo përpjekje për ta bërë këtë do të ishte më e madhja që nga lufta Iran-Irak e viteve 1980.

Lajme të ngjashme