Karrocë e lyer me gjak: Vrasja e dhimbshme e 4-vjeçares ukrainase nga forcat ruse
Në një grumbull mbetjesh të djegura pranë një dyqani të njohur si Jubilee, qëndron një karrocë rozë e lyer me gjak. Kjo karrocë i përkiste një vajze të vogël të quajtur Liza.
Liza ishte një nga tre fëmijët e vegjël që u vranë të enjten nga sulmi i forcave ruse me raketa në qendrën e qytetit Vinnytsia.

Në këtë sulm ku mbeti e vrarë Liza, edhe nëna e saj Irina mbeti e plagosur rëndë, ndërsa është bërë e ditur se kanë humbur jetën gjithsej 23 persona dhe tetë të tjerë janë ende të zhdukur.
Kur flasim për Lizën, pak para goditjes me raketa nëna e saj Irina kishte postuar një video në internet. Një ditë e bukur me diell, ku Liza po shtynte karrocën e saj duke buzëqeshur ndërsa ishin nisur për tek logopedi.
"Liza ishte shumë e gëzuar, i pëlqente të vinte tek ne. Ajo ishte një fëmijë shumë i sjellshëm. Për nënën e saj ishte i gjithë kuptimi i jetës së saj. Ajo e donte atë çmendurisht. As që mund ta imagjinoj se çfarë tragjedie është për familjen”, është shprehur për BBC-në, Valeriia Korol – drejtuesja e qendrës LogoClub për fëmijë me nevoja të veçanta.
Katër vjeçarja kishte sindromën Down dhe llogaria e nënës së saj në Instagram është e mbushur me foto të vajzës.

LogoClub ku ishte nisur Liza, ishte vetëm një bllok larg nga Sheshi i Fitores, aty ku goditën raketat ruse. Por, si shumë njerëz të tjerë në atë kohë Liza bashkë me nënën e saj ishin ende në rrugë.
BBC shkruan se, pas fillimi të luftës në kërkim të sigurisë Irina me vajzën ishin kthyer nga Kievi për në Vinnytsia, por siç duket asnjë vend në Ukrainë nuk është më i sigurtë.
Përveç Lizës, në këtë sulm mbetën të vrarë edhe dy djem të vegjël.
Maksim Zharii, i cili ishte shtatë vjeç, vdiq së bashku me nënën e tij Viktoriia. Ndërsa, fëmija tjetër ishte tetë vjeç dhe ishte duke pritur në një makinë që ishte bllokuar nga zjarri pas goditjes së raketave.
Në qytetin Vinnytsia, gjithandej ndodhen ende skeletet e shumë makinave të djegura nga bomardimet. Ndërsa pas këtij sulmi, ministria ruse e mbrojtjes ka lëshuar në një deklaratë por nuk ka përmendur vdekjen e fëmijëve.

Sipas deklaratës ruse, vendi ka sulmuar me raketa me precizion të lartë dhe ka shkatërruar një takim të zyrtarëve ushtarakë ukrainas dhe të huaj, të cilët ishin duke diskutuar për dërgesat e armëve.
Në fakt, ajo që Rusia kishte goditur ishte një ndërtesë e quajtur Shtëpia e Oficerëve në Sheshin e Fitores. Por e vetmja gjë ushtarake në lidhje me të ishte emri i saj, i cili daton që nga koha sovjetike.
Ky objekt, tani përdorej si një vend koncertesh ndërsa për të enjten ishte organizuar një shfaqje.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, zyrtarët kanë thënë se sulmet ruse kanë lënë të vdekur të paktën 352 fëmijë dhe qindra të tjerë të plagosur. Ndërsa referuar sulmit të fundit në Vinnytsia, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky e ka quajtur një akt terrorizmi. /Nacionale/
