Çfarë mendon bota për largimin e kryeministrit Boris Johnson?
Pothuajse tre vitet e fundit Boris Johnson është përfshirë në ngjarje të trazuara botërore - për të përmendur tre më kryesore, e nisim me: pushtimin e Ukrainës nga Rusia, pandemia Covid dhe natyrisht Brexit.
Por, si po shihet dorëheqja e tij në mbarë botën? Korrespondentët e BBC-së, sjellin pikëpamjet nga vendet e ndryshme.
Analizë nga Katya Adler, redaktore në Evropë
A po i fërkon BE-ja duart me gëzim për rënien e Boris Johnson? Po - por edhe jo.
Gjatë 24 orëve të fundit, kam marrë mesazhe dhe telefonata nga diplomatë të BE-së, të mbushura me pikëpyetje dhe pikëçuditje të shumta. Titujt e mediave evropiane pikojnë përbuzje dhe mosbesueshmëri ndaj asaj që ata e shohin si një shfaqje opere që po shpaloset aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Por pikëpamja e BE-së ka qenë shpesh një zhgënjim i paduruar që zoti Johnson ka zgjatur aq gjatë si kryeministër.
Një numër vendesh evropiane - veçanërisht ato në Evropën Qendrore dhe Lindore - janë jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Boris Johnson për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Rusisë, madje edhe para pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin. Ata besojnë se Johnson edhe pasi të mos jetë më kryeministër do të mbajë ndonjë pozicion në Mbretërinë e Bashkuar.
Por, nëse flasim për Evropën kontinentale, janë të paktë ata qe “do të derdhin lot” kur të shkojë zoti Johnson. Politikanët e fajësojnë atë për Brexit, e akuzojnë për dështimin për të qenë i sinqertë me popullin britanik në lidhje me implikimet e vërteta të tij.
E refuzimi me shumicë i projekt-ligjit të zotit Johnson që po kalon aktualisht në parlament, për të rishkruar në mënyrë të njëanshme traktatin ndërkombëtar pas Brexit për Irlandën e Veriut, ka arritur të bashkojë institucionet normalisht grindavece të BE-së: Komisionin, Parlamentin dhe Këshillin.
Thënë kështu, askush me të cilin kam folur në Bruksel nuk tingëllon veçanërisht shpresëdhënës se kush mund të marrë përfundimisht detyrën nga zoti Johnson si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Shumica thonë se e shohin bollëkun e dorëheqjeve të ministrave konservatorë si përpjekje për të shpëtuar karrierën me interesa personale, në vend që të dëshmojnë se nuk pajtohen me politikat e zotit Johnson.
As lideri i Partisë Laburiste të opozitës, Keir Starmer, nuk flet për ndryshimin e Brexit, apo zbutjen e tij.
Shpresa kryesore e BE-së e shprehur sot është e njëjta që dëgjova menjëherë pas votimit të Brexit-it të vitit 2016: politikanët e BE-së dëshirojnë një udhëheqës të Mbretërisë së Bashkuar, i cili ka besimin politik për të folur dhe negociuar me Brukselin, në vend që të luajë vazhdimisht me të dhe të shpërqendrohet nga galeria politike në shtëpi.
Analizë nga Anthony Zurcher, reporter i Amerikës së Veriut
Nuk ka gjasa që Joe Biden dhe demokratët në kontrollin e qeverisë amerikane të jenë shumë të shqetësuar për rënien e Boris Johnson. Në fakt, disa mund të festojnë lajmet që janë bërë tituj në mbarë ShBA-në.
Presidenti amerikan nuk është shfaqur kurrë si një fans i homologut të tij britanik, duke mos u pajtuar me të për çështjen e Brexit dhe duke shprehur shqetësim të veçantë për situatën e vështirë që ka krijuar për atdheun e tij stërgjyshor, Irlandën.
Është e vërtetë që zoti Biden është mbështetur te Johnson si një aleat i palëkundur në përpjekjet e tij për të mbledhur një përgjigje të bashkuar evropiane ndaj agresionit rus në Ukrainë, dhe të dy kanë punuar së bashku për të kundërshtuar rritjen e ndikimit kinez në Paqësor.
Por për shumë demokratë, Johnson dhe Donald Trump janë të njejtë, me pikëpamje të ngjashme për tregtinë dhe imigracionin dhe instinkte të ngjashme ikonoklastike politike.
Sipas logjikës së tyre, çdo gjë që është e keqe për zotin Johnson është e keqe për zotin Trump dhe aleatët e tij republikanë, dhe çdo gjë që e lëndon zotin Trump është e mirë për demokratët.
Duke lënë mënjanë serinë e skandaleve që ishin shkaku i rënies së zotit Johnson, kryeministri britanik e kishte parë pozitën e tij politike të gërryer nga çështjet që tronditnin shumicën e demokracive perëndimore - pasiguria ekonomike, inflacioni në rritje dhe mosmarrëveshjet sociale.
Askush - në Mbretërinë e Bashkuar, ShBA apo vende të tjera, nuk ka gjetur një zgjidhje të lehtë për këto probleme.
Pra, ndërsa e majta amerikane mund të mirëpresë atë që e sheh si llogarinë përfundimtare të zotit Johnson, largimi i tij mund të jetë një pararojë e dënimit për ata që janë aktualisht në pushtet në ShBA, e jo për republikanët në periferi.
Analizë nga Pumza Fihlani, reportere e Afrikës Jugore
Për ata që ndjekin me zell politikën britanike në kontinent, një fije e përbashkët po shfaqet nga reagimi i hershëm ndaj lajmeve për dorëheqjen e Boris Johnson si kryetar partie dhe kryeministër në pak muaj: prej zilisë.
Ata që kanë hyrë në mediat sociale janë ankuar se sa e pazakontë është në shumë vende afrikane që një lider të largohet nga pushteti apo edhe që partia e tij ta detyrojë atë të largohet për shkak të mungesës së performancës.
Ata e kanë përdorur dorëheqjen e tij për të komentuar mungesën në dukje të llogaridhënies së politikanëve në vendet e tyre ndaj njerëzve që qeverisin.
Megjithatë, është e rëndësishme të shtohet se Johnson nuk është parë si një mik i ngushtë i Afrikës gjatë mandatit të tij në detyrë, dhe lajmi për largimin e tij ka pasur reagime të kufizuara.
Analizë nga Karishma Vaswani, prezantuese aziatike
Ky është një lajm i madh në vende të tilla si Australia, India, Malajzia dhe në Singapor, natyrisht - vende që kanë pasur lidhje historike me Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë trashëguar sistemin e tyre parlamentar si pjesë e të qenit koloni të mëparshme.
Dhe më shumë se një komentues ka bërë pyetjen se: çfarë lloj sinjali po dërgon Britania e Madhe për gjendjen e demokracisë në pjesën tjetër të botës, kur edhe pasi një numër kolegësh të tij kanë kërkuar që ai të japë dorëheqjen - gjoja për të mirë e vendit - kreu fillimisht refuzoi të hiqte dorë?
Shumë pyesin, nëse kjo është rënie e ngadaltë e sistemit demokratik?
Ekziston gjithashtu shqetësimi se si kjo mund të ndikojë në gjeopolitikë, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, dhe nëse ky është një shpërqendrim në Perëndim që përsëri mund të largojë nga çështjet më të ngutshme që shqetësojnë qeveritë aziatike - si kostoja e jetesës, inflacioni dhe ndikimi në rritje i Kinës në rajon.



