Largimi i Johnson sjell lumturi e tallje në Rusi, trishtim në Ukrainë - NACIONALE

Largimi i Johnson sjell lumturi e tallje në Rusi, trishtim në Ukrainë

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Rënia e Boris Johnson është pritur me kënaqësi dhe tallje në Moskë, ndërsa zyrtarët në Kiev kanë shprehur trishtim për dorëheqjen e aleatit kryesor të Volodymyr Zelensky.

Johnson, i cili ka nisur transferimin e armëve në Ukrainë që në fazat e hershme të luftës dhe ishte lideri i parë që vizitoi Kievin në muajin prill, është bërë një figurë shumë e dashur në Ukrainë. Por pozicioni i tij e bëri atë një objekt për median shtetërore ruse, duke u përshkruar si “lideri më aktiv anti-rus.”

“Ai nuk na do. As neve nuk na pëlqen,” ka thënë sot zëdhënësi i Vladimir Putin, Dmitry Peskov, ndërsa lajmi për dorëheqjen e tij arriti në Moskë.

The Guardian raporton se, përveç Peskov, edhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë dhe biznesmenë të lidhur me Kremlinin përdorën fjalë të forta, duke thënë se Johnson më në fund kishte marrë shpërblimin e tij për armatosjen e Ukrainës kundër Rusisë.

"Morali i historisë - mos kërkoni ta shkatërroni Rusinë. Rusia nuk mund të shkatërrohet. Ju mund t'i thyeni dhëmbët në të", ishte shkrimi i zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova në Telegram.

Ndërkohë, për dorëheqjen e tij ka reaguar edhe zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev, duke thënë se dorëheqja e Johnson ishte "rezultat logjik i arrogancës britanike dhe politikës mediokre".

“Miqtë më të mirë të Ukrainës po largohen. Ne presim lajme nga Gjermania, Polonia dhe shtetet baltike”, ka shkruar ish-presidenti rus në Telegram.

Biznesmeni kryesor rus, Oleg Deripaska, tha se ishte një "fund i palavdishëm" për një "kloun budalla" ndërgjegjja e të cilit do të rrënohej nga "dhjetëra mijëra jetë të humbura në këtë konflikt të pakuptimtë në Ukrainë".

Ndërsa, shumë të tjerë e përdorën rastin për t’u tallur me deklaratat e fundit të Johnson.

Ambasada ruse në Mbretërinë e Bashkuar postoi në Twitter një titull të Bloomberg nga muaji i kaluar, i cili e citonte Johnson të thoshte se planifikonte të qëndronte si kryeministër deri në mesin e viteve 2030. “Diçka duhet të ketë shkuar keq”, thuhej në mbishkrimin e ambasadës mbi artikullin e Bloomberg.

Në anën tjetër, reagim krejt ndryshe ka pasur në Ukrainë, në një intervistë për CNN, të dhënë menjëherë pas fjalimit të dorëheqjes së Johnson, Zelenski e quajti Johnson "një mik të vërtetë të Ukrainës" duke shtuar se ai ishte i bindur se politika e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Ukrainës nuk do të ndryshojë së shpejti.

Ndërkohë, edhe një nga këshilltarët e presidentit, u shpreh duke thënë se: “Ne besojmë se Mbretëria e Bashkuar do të mbetet një aleat i rëndësishëm, por sigurisht që jemi të trishtuar. Kishte një lidhje të vërtetë personale mes dy liderëve.”

Mikhail Podolyak, një tjetër këshilltar i presidentit ukrainas falënderoi Johnson për mbështetjen e Ukrainës.

“Johnson është një person që filloi ta quante lopatën lopatë që në fillim… Falë zotit Johnson ne e kuptojmë se fitorja është një simbol i vërtetë i së ardhmes së Ukrainës, ka thënë Podolyak.

Që nga fillimi, zyra e Zelenskyt nuk e ka fshehur dashurinë për Johnson, duke e lavdëruar vazhdimisht atë si shembull për liderët e tjerë botërorë.

Por, edhe Johnson dukej se e vlerësonte marrëdhënien e tij me Zelenskyn, për të cilën ai u akuzua nga kritikët se po e përdor për të shkëputur vëmendjen nga skandalet në vend.

E ndërsa për Johnson vlerësimet në shtëpi binin çdo ditë e më shumë, në Kiev ai njihej me shumë dashuri si Borys Johnsoniuk, ku në një sondazh të publikuar në muajin qershor, doli në pah se Johnson ishte lideri i huaj më i popullarizuar në Ukrainë, me një vlerësim prej 90%, vetëm tre pikë prapa Zelenskyt.

Lajme të ngjashme