Çfarë është “ChatGPT”-ja dhe pse shkollat po e bllokojnë atë? - NACIONALE

Çfarë është “ChatGPT”-ja dhe pse shkollat po e bllokojnë atë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kërko nga pajisja e inteligjencës artificiale, “ChatGPT” për të shkruar një ese rreth shkakut të Luftës Civile Amerikane dhe e sheh duke hartuar një shkrim bindës brenda disa sekondave.

Kjo është një arsye pse zyrtarët e shkollave në Nju Jork këtë javë filluan që ta bllokonin pajisjen mbresëlënëse por kundërthënëse të të shkruarit, e cila mund të prodhojë paragrafë të teksteve të ngjashme me ato që shkruhen nga njerëzit.

Vendimi nga administrata më e madhe rajonale e arsimit në ShBA për ta kufizuar uebfaqen e “ChatGPT”-së në pajisjet dhe rrjetet shkollore mund të ketë efekt domino në shkolla të tjera, ndërsa mësuesit po mundohen që të gjejnë zgjidhe për ta parandaluar mashtrimin gjatë vlerësimit të nxënësve. Ata që e kanë krijuar “ChatGPT”-në thonë se po kërkojnë edhe mënyra për ta zbuluar keqpërdorimin.

Mjeti që mund të përdoret falas, është në dispozicion vetëm qe pesë javë, por tashmë po ngre pyetje të vështira për të ardhmen e inteligjencës artificiale në arsim, në industrinë e teknologjisë dhe në një grumbull profesionesh, shkruan agjencia “Associated Press”.

Çfarë është “ChatGPT”?

“ChatGPT” u lëshua për përdorim më 30 nëntor, por është pjesë e një grupi më të gjerë të teknologjive të zhvillura nga kompania e re me seli në San Francisko, “OpenAI”, e cila ka marrëdhënie të ngushta me gjigantin “Microsoft”.

“ChatGPT” është pjesë e një gjenerate të re të sistemeve të inteligjencës artificiale që mund të zhvillojnë biseda, të shkruajnë tekste të lexueshme sipas kërkesës dhe madje të prodhojnë fotografi e video romanesh, duke u mbështetur në atë që kanë mësuar nga një bazë masive e të dhënave nga librat digjitalë, shkrimet në internet dhe në medie të tjera.

Megjithatë, ndryshe nga përsëritjet e mëparshme të të ashtuquajturave “modele të mëdha të gjuhëve”, si GPT-3 i kompanisë “OpenAI”, i lëshuar për përdorim më 2020, pajisja “ChatGPT” është në dispozicion falas për këdo që ka qasje në internet dhe është e dizajnuar për të qenë më e lehtë për përdoruesit. Ajo funksionon si dialog i shkruar mes sistemit të inteligjencës artificiale dhe personit që i bën pyetje atij.

Miliona njerëz kanë luajtur me të gjatë muajit të kaluar, duke e përdorur atë për të shkruar poema e këngë qesharake, duke u përpjekur për ta mashtruar që të bëjë gabime ose për qëllime më praktike, si kërkimi i ndihmës për të shkruar një shkresë elektronike. Të gjitha këto pyetje po e ndihmojnë sistemin që të bëhet më i mençur.

Cilat janë problemet?

Si sistemet e ngjashme me të, “ChatGPT” mund të prodhojë prozë bindëse, por kjo nuk nënkupton që ajo është e vërtetë ose logjike.

Vënia e tij në përdorim u bë me pak udhëzime për përdorim, por me një premtim se “ChatGPT”-ja do të pranojë, kur e ka gabim, se do t’i sfidojë “premisat e pasakta” dhe do t’i refuzojë kërkesat që bëhen me qëllim për të krijuar përgjigje fyese. Që atëherë, megjithatë, popullariteti i sistemit i ka shtyrë autorët e tij që të mundohen për t’i ulur pritjet e njerëzve.

“ChatGPT-ja është i kufizuar në mënyrë të pabesueshme, por mjaftueshëm i mirë për disa gjëra që të krijojë një përshtypje çorientuese të madhështisë”- tha në dhjetor shefi ekzekutiv i kompanisë “OpenAi”, Sam Altman.

Ai shtoi se “është gabim që të mbështetemi në të për çfarëdo gjëje të rëndësishme tash për tash”. “Është një pamje paraprake e përparimit; kemi shumë punë për të bërë për qëndrueshmërinë dhe vërtetësinë”- tha shefi i kompanisë.

A mund të përdoret për t’i shkruar detyrat e shkollës?

Kur u pyet nga agjencia “Associated Press” për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje nga këndvështrimi i një drejtori shkolle, i cili po jepte mesazh përmes sistemit të informimit publik, sistemi “ChatGPT” e ofroi këtë përgjigje:

“Mos e përdorni ChatGPT-në ose ndonjë pajisje tjetër të automatizuar të shkrimit për detyrat e shkollës. Ky është mashtrim dhe nuk do të tolerohet. Nëse kapeni duke përdorur ChatGPT-në ose ndonjë pajisje tjetër të automatizuar të shkrimit për detyrat e shkollës, do të ketë pasoja serioze.”

Por kur iu kërkua që të përgjigjej për të njëjtën pyetje vetë, sistemi e dha këtë paralajmërim më të matur: “Si rregull e përgjithshme, nuk është gjë e duhur që të përdoret ChatGPT-ja ose ndonjë pajisje tjetër e automatizuar e shkrimit për detyrat e shkollës, sepse cilësohet mashtrim dhe nuk është në dobinë e nxënësit në aspektin afatgjatë.”

Çfarë thonë shkollat?

Shumë administrata rajonale të arsimit ende po bëjnë përpjekje për të zbuluar se si t’i vendosin politikat për atë nëse ky sistem mund të përdoret ose si të përdoret.

Departamenti i Arsimit në Nju Jork tha të enjten se do ta kufizojë qasjen në rrjetet dhe pajisjet shkollore, sepse është i brengosur për ndikimin negativ të këtij sistemi në të nxënit e nxënësve si dhe për shkak të “shqetësimeve në lidhje me sigurinë dhe saktësinë e përmbajtjes”.

Megjithatë, nuk ka ndalim të qasjes në “ChatGPT” për nxënësit nga telefonat personalë ose nga kompjuterët që i kanë në shtëpi.

“Përderisa pajisja mund të jetë e aftë për të ofruar përgjigje të shpejta e të lehta ndaj pyetjeve, ajo nuk i ndërton shkathtësitë e të menduarit kritik dhe të zgjidhjes së problemeve, të cilat janë thelbësore për suksesin akademik e të përjetshëm”- tha zëdhënësja e shkollave, Jenna Lyle.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme