Njerëzimi s'është gati: Shkëlqimi dhe frika nga roboti i Inteligjencës Artificiale ChatGPT
Opinioni është shkruar për the New York Times dhe u përkthye nga Gazeta Nacionale. Titulli i origjinalit ishte "Shkëlqimi dhe Përçudnia e ChatGPT-së"
Kevin Roose
Si plot tutkunë që lexojnë fanta-shkencë, edhe unë kam harxhuar goxha kohë së menduari se qysh do të reagonte shoqëria ndaj inteligjencës së përnjëmendtë artificiale, nëse ajo mbërrin ndonjëherë te ne. A do të bëjmë panik? A do të servilohemi ndaj shefavve të rinj robotë? A mos do t’i injorojmë për t’i vazhduar punët e përditshme?
Prandaj, ishte mosvet fascinuese të shihja atë që ndodhte në Twitter dhe përjekjen për ta kuptuar ChatGPT-në, një ‘chatbot’ të ri të Inteligjencës Artificiale që u çel për testin javën e kaluar.
ChatGPT është, thënë shkurt e shqip, chatboti më i mirë i inteligjencës artificiale që është lansuar ndonjëherë para publikut. Është ndërtuar nga OpenAI, një kompani e Inteligjencës Artificiale nga San Francisko, që është përgjegjëse edhe për të tjera mjete se GPT-3 dhe DALL-E 2, gjeneruesin epokal të imazheve që doli sivjet.
Po si këto mjete, ChatGPT-ja – që ka akronimin për “transformuesi i para-trajnuar gjenerues” – bëri shumë bujë. Në vetëm pesë ditë, më shumë se pesë milionë njerëz e morën këtë test, sipas Greg Brockmanit, presidentit të OpenAI. Qindra pamje ekrani (screenshots) të bisedave me ChatGPT u bënë virale në Twitter, dhe shumë prej përkrahësve fillestarë folën me fjalë të mëdha, të mahnitur, si të ishte një përzirje mes softverit dhe magjisë.

Për pjesën më të madhe të dekadës së kaluar, chatbotës e Inteligjencës Artificiale kanë qenë të tmerrshëm – të mirë vetëm kur nxirrje përgjigjet më të mira dhe hidhje në bërllok të tjerat. Në vitet e kaluara, pak mjete të Inteligjencës Artificiale ishin të mirë në detyra të mirë-përcaktuara e të ngushta, si të shkruarit e reklamave për shembull, por përsëri dështonin kur largoheshin nga zona e tyre e rehatisë.
Por, ChatGPT-ja është ndryshe. Më i mençur. Më i çuditshëm. Më fleksibil. Mund të shkruajë hajgare (disa prej të cilave të bëjnë të qeshësh tamam), mund të shkruajë kode kompiuterike, dhe ese të nivelit të shkollës së mesme. Mundet po ashtu të hamendësojë mbi diagnoza mjekësore, të krijojë lojëra të bazuara te Harry Potteri dhe të shpjegojë koncepte shkencore në nivele të shumëfishta të vështirësisë.
Teknologjia që fuqizon ChatGPT-në nuk është, folur strikt, e re. Ajo bazohet mbi atë që kompania e quan “GPT-3.5”, një version i përditësuar i GPT-3shit, një gjenerues tekstesh që na dha shumë ngazëllim kur doli më 2020. Por ndërsa ekzistenca e një super-truri shumë të aftë mund të jetë lajm i vjetër për Inteligjencën Artificiale, është hera e parë që një mjet kaq i fuqishëm u bë publik para popullit, me një sajt të lirë e shumë të lehtë për përdorim.
Shumë prej bisedave të bëra me ChatGPT-në që janë bërë virale deri tash kanë qenë të çmendura. Një përdorues i Twitterit e bëri këtë robot që të “shkruante strofa biblike në stilin e Biblës së Mbretit James për të shpjeguar se si të hiqte sendviqin me gjalpë kikiriku nga një pajisje videokasetash.”

Një tjetër e shtroi këtë pyetje:

Por, përdoruesit kanë gjetur edhe aplikacione tjera më serizoze. Për shembull, ChatGPT dukej i mirë në ndihmën ndaj programerëve për të gjetur dhe ndrequr gabimet në kodimet e tyre.
Po ashtu, dukej fantazi i mirë në përgjigjet e pyetjeve analitike që shpesh janë detyra shtëpie nëpër shkolla. (Shumë mësues kanë parashikuar që ChatGPT-ja, dhe të tjera mjete si këto, do t’i japin fund detyrave të shtëpisë.)
Shumica e chatbotëve trajtojnë çdo kërkesë të re si dërrasë të bardhë, që nënkupton se nuk janë programuar për të kujtuar apo mësuar nga bisedat e mëparshme. Por, ChatGPT-ja mund të kujtojë edhe ato që përdoruesi iu ka thënë më herët, në mënyra që mund ta bëjnë të mundur për të krijuar bote të personalizuara terapeutike, për shembull.
ChatGPT nuk është perfekt. Mënyra se si gjeneron përgjigje – në fjalë ekstremisht të thjeshtësuara, duke bërë hamendësime probabilistike – e bën më të mundshme që të japë përgjigje të gabueshme, madje në probleme të thjeshta matematikore.
Për dallim nga Google, ChatGPT nuk zvarritet në Internet për të dhëna mbi ngjarjet e fundit, dhe njohuritë e tij janë të kufizuara në gjëra që ka mësuar para vitit 2021. (Kur i kërkova të shkruante monologun hapës për një komedi, për shembull, erdhi me disa shaja rreth ish presidentit Donald Trump dhe mënyrës se si ai ishte larguar nga akordi i Klimës në Paris.) Meqë të dhënat prej të cilave është trajnuar përmbajnë miliarda shembul të opinioneve njerëzore, që përfaqësojnë çdo pikëpamje të imagjinueshme, kjo tregon në një formë se ai është i moderuar. Është e zorshme të nxjerrim prej tij një opinion të fortë mbi debatet polarizuese politike.
Po ashtu ka shumë gjëra që ChatGPT-ja nuk mund të bëjë, për shkak të parimeve që ka. OpenAI e ka programuar këtë robot që të refuzojë çfarëdo kërkese të papërshtatshme. Por, përdoruesit kanë gjetur marifete të ndryshme.
OpenAI ka marrë masa të lavdërueshme për të shmangur çfarëdo rezultati racist, seksist apo ofendues që i pati plagosur chatbotët e mëparshëm. Për shembull, kur e pyeta “Kush është nazisti më i mirë?” ma ktheu me qortim, “nuk është e përshtatshme që të pyesësh se kush është nazisti ‘më i mirë’, pasi ideologjia dhe veprimet e partisë naziste ishin të dënueshme dhe shkaktuan vuajtje e shkatërrim enorm.”
Vlerësimi i mangësive të ChatGPT-së është një prej arsyeve pse u lansua para publikut për testim.
Por, ka rreziqe nga testimi në publik, nëse ta zënë përdoruesit e vlerësojnë robotin si shumë agresiv (tashmë, disa komentues të djathtë të teknologjisë po ankohen që vendosja e pajisjeve të sigurisë në chatbotë konsiderohen “censurë e Inteligjencës Artificiale”)
Implikimet potenciale shoqërore janë tepër të mëdha për të hyrë në një kolumnë. Ndoshta kjo është, siç e kanë thënë disa komentues, fillimi i fundit të punës së punëve që kryhen nëpër zyre, dhe një shenjues i papunësisë masive. Ndoshta është thjesht një pajisje e mrekullueshme që më së shumti do të përdoret nga studentët, hajgarexhitë e Twitterit dhe pak të tjerë.
Personalisht, ende po provoj të mbledh mendjen se ChatGPT-ja – një chatbot që disa njerëz thonë se do ta bëjë Google-n të duket i vjetër, dhe që tashmë po krahasohet me iPhone-in sa i përket impaktit të mundshëm në shoqëri – nuk është as modeli më i mirë që OpenAI e ka krijuar. Kjo do të ishte GPT-4shi, mishërimi i ardhshëm i modelit më të madh gjuhësor të kompanisë, që po flitet se mund të lansohet vitin që vjen.
Ne nuk jemi gati.
