Britania: Rusët në telashe të mëdha pas sulmit në urë, tashmë ky qytet është bërë i rëndësishëm
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka shkruar në raportin e inteligjencës së mëngjesit të sotëm për problemet logjistike ruse që janë shtuar pas dëmtimit të urës në Krime.
“Problemet logjistike me të cilat përballen forcat ruse në Ukrainën jugore ka të ngjarë të jenë bërë më të mprehta pas dëmtimit të urës së Krimesë më 8 tetor 2022”, shkruajnë britanikët. Ata shtojnë se ura tashmë po restaurohet dhe qarkullimi është pjesërisht i normalizuar.
Por një numër i madh kamionësh presin aty pranë për të kaluar dhe ky është një problem i madh për rusët.
“Forcat ruse që veprojnë në Ukrainën jugore ka të ngjarë të rrisin rrjedhën logjistike të furnizimeve përmes Mariupolit në një përpjekje për të kompensuar kapacitetin e reduktuar të urës së Krimesë”, shkruajnë britanikët.
Duke qenë se situata në Kherson është e tensionuar dhe rrugët e furnizimit përmes Krimesë janë të degraduara, linja tokësore e komunikimit përmes rajonit të Zaporizhzhya bëhet më e rëndësishme për qëndrueshmërinë e pushtimit rus, shtuan britanikët.
“Qyteti i Melitopolj është një udhëkryq i rrugëve të furnizimit dhe për këtë arsye ka një prani të madhe të forcave ajrore ruse atje”, thuhet në fund nga britanikët. /Nacionale/