Britania po e shqyrton furnizimin e Ukrainës me tanket e frikshme “Challenger 2” - NACIONALE

Britania po e shqyrton furnizimin e Ukrainës me tanket e frikshme “Challenger 2”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Britania është duke e shqyrtuar furnizimin e Ukrainës me disa tanke të tipit “Challenger 2”. Kjo është hera e parë që një shtet perëndimor ka dhënë shenjë se mund t’i ofrojë armë të rënda vendëse Kievit në luftën kundër Rusisë.

Qeveria britanike ende nuk ka marrë vendim për dhurimin e këtyre tankeve, sipas burimeve, por Ukraina është duke shpresuar që një lëvizje pozitive nga Mbretëria e Bashkuar do të mund të ndikonte që edhe Gjermania të bënte veprim të ngjashëm këtë muaj, duke ia ofruar tanket e tipit “Leopard 2”.

Ukraina ka kërkuar tanke britanike nga vera, tha një burim tjetër. Megjithatë, realiteti është se Britania, me gjithsej 227 tanke, ka furnizim të vogël në krahasim me prodhimin e këtyre mjeteve në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara.

Sipas një raportimi fillestar të televizionit “Sky News”, Britania është duke e shqyrtuar dërgimin e dhjetë tankeve “Challenger 2” në Ukrainë, numër shumë i vogël në krahasim me 300 tanket që i dëshiron Kievi përderisa po mundohet të ndërtojë një forcë të mekanizuar në ndjekje të fitores pas më shumë se dhjetë muajve luftë.

Në shërbim në Evropë, në 13 shtete, janë rreth dy mijë tanke “Leopard 2”, por për shkak se ato janë prodhuar në Gjermani, do të nevojitej miratimi i Berlinit për eksportimin e tyre në Ukrainë.

Shtetet perëndimore janë njoftuar për shtimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën këtë vit. Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania thanë se do të ofrojnë 50 automjete “Bradley” dhe 40 automjete “Marder”, raporton gazeta “The Guardian”. Franca i ka premtuar Ukrainës tanke të lehta të tipit AMX-10 RC.

Javën e kaluar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha: “Nuk ka arsye racionale pse Ukraina nuk është furnizuar me tanke të tipit perëndimor.” Ai e theksoi takimin e ardhshëm të Reimstein-it si pikë kyçe, në të cilën një vendim për këtë çështje do të mund të merrej.

Në fundin e vitit të kaluar, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Valeriy Zaluzhny, kërkoi 300 tanke dhe 600 – 700 automjete luftarake për ta ndihmuar Ukrainën që t’i mposhtë pushtuesit rusë. Megjithatë, deri javën e kaluar, vendet e NATO-s nuk ishin të gatshme për t’i ofruar Kievit automjete të blinduara nga frika se ky veprim mund të shihet nga Moska si eskalim i konfliktit.

Lajme të ngjashme