Franca do t’i dhurojë Ukrainës tanke të lehta AMX-10 RC - NACIONALE

Franca do t’i dhurojë Ukrainës tanke të lehta AMX-10 RC

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Francës tha të enjten se së shpejti do të zhvillojë bisedime me ministrinë ukrainase për ta rregulluar dërgimin e automjeteve të blinduara luftarake, AMX-10 RC, në atë që presidenca franceze thotë se do të jetë dërgesa e parë e këtij lloji të automjeteve të prodhuara nga Perëndimi për ushtrinë ukrainase.

Kjo ministri njoftoi se pjesë e diskutimeve do të jenë koha e dërgesës dhe trajnimi i ushtarëve ukrainas për përdorimin e këtij armatimi, shkruana agjencia “Associated Press”.

Të quajtura “tanke të lehta” në gjuhën frënge, automjetet e tipit AMX-10 RC janë të pajisura me tytë 105-milimetërshe e dy mitralozë. Përdoren kryesisht për operacione zbulimi dhe kanë material të mjaftueshëm anti-plumb për t’u mbrojtur nga armët e lehta të këmbësorisë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e falënderoi Francën për këto armë dhe për “shpeshtimin e punës me partnerët në të njëjtin drejtim”.

Ukraina me muaj ka kërkuar që të furnizohet me armë më të rënda, përfshirë tanket amerikane “Abrams” e ato gjermane “Leopard 2”. Ndërkohë Çekia dhe Polonia i kanë dhuruar Ukrainës tanke të periudhës sovjetike, T-72.

Vendimi i Francës u publikua pas bisedës telefonike mes presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe homologut të tij ukrainas. Presidenca franceze refuzoi që të jepte hollësi për këtë marrëveshje.

Automjetet AMX-10 RC janë përdorur nga ushtria franceze që nga viti 1981 dhe i janë nënshtruar modernizimit rishtazi. Ministria e Mbrojtjes e Francës tha se ky model është duke u zëvendësuar gradualisht me automjetet e reja, “Jaguar”.

Franca i ka dhuruar më parë Ukrainës edhe armë të tjera, përfshirë topat “Caesar”, raketat kundërtanke, bateritë raketore “Crotale” dhe raketahedhësit. Franca, gjithashtu, është duke trajnuar rreth dy mijë ushtarë ukrainas në territorin francez.

Qeveria gjermane është ballafaquar me thirrjet e Kievit dhe të disa ligjvënësve gjermanë për t’i dhënë Ukrainës tanke të tipit “Leopard 2”, por ka thënë se nuk do të bëjë një veprim të tillë e vetme dhe se asnjë shtet tjetër nuk i ka dhënë armatim të ngjashëm perëndimor vendit të përfshirë nga lufta.

Britania ka thënë se i ka dhënë Ukrainës më shumë se 200 automjete të blinduara për transportimin e ushtarëve, por tanke ende jo.

Lajme të ngjashme