Përparimi i dronëve në Ukrainë mund ta sjellë shfaqjen e robotëve vrasës - NACIONALE

Përparimi i dronëve në Ukrainë mund ta sjellë shfaqjen e robotëve vrasës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Përparimi i dronëve në Ukrainë e kanë përshpejtuar frymën e teknologjisë së pritur gjatë dhe e cila së shpejti mund t’i sjellë në fushën e betejës robotët luftarakë që janë plotësisht vetëveprues, duke inauguruar një epokë të re të zhvillimit të luftërave.

Sa më shumë që zgjat lufta, aq më të mëdha janë gjasat që dronët të përdoren për identifikimin, përzgjedhjen dhe sulmimin e caqeve pa ndihmë nga njerëzit, sipas analistëve ushtarakë, luftëtarëve e hulumtuesve të inteligjencës artificiale.

Kjo do të shënonte një revolucion aq të thellë në teknologjinë ushtarake sa fillimi i përdorimit të mitralozit. Ukraina tashmë ka dronë sulmues gjysmëvetëveprues dhe armë kundër dronëve, të pajisura me inteligjencë artificiale. Edhe Rusia pretendon se ka armatim me inteligjencë artificiale, edhe pse pretendimet e saj nuk janë të dëshmuara. Megjithatë, nuk ka raste të vërtetuara, kur një shtet ka vendosur në luftime robotë që kanë kryer vrasje tërësisht vetë.

Ekspertët thonë se mund të jetë vetëm çështje kohe para se Rusia ose Ukraina, ose të dyja ta fillojnë përdorimin e tyre, shkruan agjencia “Associated Press”.

“Shumë shtete janë duke e zhvilluar këtë teknologji. Qartazi, nuk është e tëra aq e vështirë”- tha Zachary Kallenborn-i, analist i inovacionit të armëve në Universitetin “George Mason”.

Ministri i Transformimit Digjital i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, pajtohet se dronët vrarës plotësisht vetëveprues janë “hap logjik dhe i pashmangshëm i radhës” në zhvillimin e armëve. Ai tha se Ukraina ka bërë “shumë hulumtime e zhvillim në këtë drejtim”.

“Mendoj se potenciali për këtë është i madh gjatë gjashtë muajve të ardhshëm”- tha ministri ukrainas në një intervistë të realizuar rishtazi për agjencinë “Associated Press”.

Koloneli ukrainas, Yaroslav Honchar, bashkëthemelues i organizatës jofitimprurëse për inovacione të dronëve luftarakë, “Aerorozvidka”, tha në një intervistë të bërë afër frontit se ushtarët thjesht nuk mund t’i përpunojnë të dhënat dhe të marrin vendime aq shpejt sa makinat.

Udhëheqësit e ushtrisë ukrainase tash për tash e ndalojnë përdorimin e armëve vdekjeprurëse tërësisht të pavarura, edhe pse kjo gjë mund të ndryshojë, tha ai.

“Nuk e kemi kaluar këtë vijë ende dhe po them “ende”, sepse nuk di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”- tha Honchar-i, grupi i të cilit e ka udhëhequr inovacionin e dronëve në Ukrainë, duke shndërruar dronë të lirë komercialë në armë vdekjeprurëse.

Rusia mund të sigurojë inteligjencë artificiale vetëvepruese nga Irani ose nga vende të tjera. Dronët shpërthyes me rreze të gjatë, “Shahed-136”, të dhuruar nga Irani, e kanë gjymtuar rrjetin energjetik të Ukrainës dhe i kanë tmerruar civilët, por nuk janë posaçërisht të zgjuar. Irani ka dronë të tjerë në arsenalin e vet në zhvillim, për të cilët thotë se kanë inteligjencë artificiale.

Lajme të ngjashme