"Armët e Perëndimit në duart e Iranit" - çka dhuroi Rusia në këmbim të dronëve? - NACIONALE

"Armët e Perëndimit në duart e Iranit" - çka dhuroi Rusia në këmbim të dronëve?

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në këmbim të dronëve, Rusia i ka dhënë Iranit 140 milionë euro kesh si dhe armë perëndimore të kapura në luftën e Ukrainës. Kështu ka thënë në kushte anonimiteti, një burim i njohur me çështjen për SkyNews.

Burimi ka thënë se, në këmbim të dronëve vdekjeprurës të përdorur në luftën në Ukrainë një avion ushtarak rus ka transportuar fshehurazi në Teheran paratë dhe tre modele armësh – raketë antitank britanike NLAW, një raketë antitank amerikane Javelin dhe një raketë anti-ajrore Stinger.

Sipas burimit, armët kanë qenë pjesë e një dërgese me pajisje ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar dhe ShBA-së të destinuara për ushtrinë ukrainase, por që "ka rënë në duart ruse".

Burimi që ka dhënë këto informacione, ndër të tjera ka shtuar se këto armë perëndimore mund t’i japin Gardës Revolucionare Islamike të Iranit aftësinë për të studiuar teknologjinë perëndimore dhe potencialisht mundësinë për ta kopjuar atë.

Nga ana tjetër, burimi ka thënë se Irani ka furnizuar Rusinë me më shumë se 160 mjete ajrore pa pilot (UAV), duke përfshirë 100 drone Shahed-136 – të njohur edhe si "dronë vetëvrasës" sepse shpërthejnë në përplasje.

Përveç kësaj, ky burim ka pretenduar se ditët e fundit, Moska dhe Teherani kanë arritur një marrëveshje tjetër për dronë me vlerë rreth 200 milionë euro.

"Kjo do të thotë se së shpejti do të ketë një furnizim tjetër të madh të UAV-ve nga Irani," ka thënë burimi për SkyNews.

Kujtojmë se së fundmi, forcat ushtarake ruse kanë shtuar sulmet me dronë kundër Ukrainës, ku përveç shumë sulmeve me raketa konvencionale, janë përdorur edhe dronë duke shënjestruar furnizimet kritike të energjisë dhe ujit në të gjithë vendin, përfshirë edhe kryeqytetin Kiev.

Këto sulme kanë lënë të vrarë shumë civilë si dhe kanë shkaktuar ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike duke tensionuar edhe mbrojtjen ajrore të Ukrainës, me raketa të kushtueshme kundërajrore të përdorura për të luftuar dronët që janë shumë më të lirë.

Lajme të ngjashme