Rusia vendos 'dhëmbë të dragoit' për të ngadalësuar forcat ukrainase
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se Rusia është duke shtuar përpjekjet e saj për të ndërtuar pengesa thelbësore me anë të së cilave pretendon të ngadalësojë përparimin e forcave ukrainase në vendet qe mbron, përfshirë rreth qytetit të Mariupolit.
Sipas inteligjencës britanike, ushtria ruse është duke përdorur dy fabrika për të prodhuar një numër të madh të “dhëmbëve të dragoit” – blloqe betoni piramidale të dizajnuara për të ngadalësuar avancimin e automjeteve ushtarake të Ukrainës.
Prodhimi dhe vendosja e këtyre blloqeve është treguesi më i fundit se si forcat luftarake të Rusisë po përpiqen gjithnjë e më shumë të kalojnë në një luftë më mbrojtëse.
Sipas të dhënave "dhëmbët e dragoit" ka të ngjarë të jenë instaluar midis Mariupolit dhe fshatit Nikolske, si dhe nga Mariupoli verior në fshatin Staryi Krym.
Kujtojmë se, Mariupoli është pjesë e "urës tokësore" të Rusisë për në Krime, një linjë kyçe e komunikimit logjistik.
Në vlerësimin e inteligjencës britanike thuhet gjithashtu se “dhëmbët e dragoit” janë dërguar për përgatitjen e fortifikimeve mbrojtëse në Zaporizhzhia dhe Kherson.
“Ky aktivitet sugjeron se Rusia po bën një përpjekje të konsiderueshme për të përgatitur mbrojtjen në thellësi pas vijës së saj aktuale të frontit, me gjasë që të parandalojë çdo përparim të shpejtë ukrainas,” kanë thënë nga ministria britanike.
Ndërkohë, Instituti për Studimin e Luftës ka vënë në dukje edhe përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të përmirësuar mbrojtjen e saj në jug. E duke komentuar këtë situatë, gjenerali australian në pension Mick Ryan ka thënë se përpjekjet në rritje ruse për të vendosur pengesa mund të reflektojnë si nevojat ushtarake ashtu edhe ato politike të brendshme.
