ShBA-ja po e shqyrton mundësinë që t’i japë Ukrainës automjete luftarake “Bradley”
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë duke e shqyrtuar mundësinë që t’i dhurojnë Ukrainës automjete luftarake të tipit “Bradley” për ta ndihmuar këtë shtet kundër pushtimit rus.
Bideni u pyet gjatë një komunikimi me gazetarë përderisa po udhëtonte për në Kentucky nëse dhurimi i këtyre automjeteve ushtarake për Ukrainën është në tavolinë. Ai tha shkurt “po”, pa dhënë hollësi, shkruan agjencia “Associated Press”.
Kur lufta ka hyrë në muajin e njëmbëdhjetë, Kievi i ka kërkuar ShBA-së tanke, raketa me rreze më të gjatë veprimi, automjete të blinduara dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Luftimet e ashpra kanë vazhduar në pjesën lindore të Ukrainës pavarësisht nga fillimi i dimrit.
Automjetet e tipit “Bradley” janë mjete të blinduara mesatare, të cilat mund të përdoren për transportimin e ushtarëve. Nuk ka rrota, por është më e lehtë dhe më e shkathët se tanket. Me të mund të transportohen rreth dhjetë ushtarë ose të përdoret për transportim të municionit ose të pajisjeve të komunikimit.
“Bradley” ende përdoret në ushtrinë amerikane, edhe pse forcat e armatosura për një kohë të gjatë janë duke kërkuar zëvendësim për këtë lloj automjeti.
Pentagoni i ka dhuruar tashmë Ukrainës më shumë se dy mijë automjete lufte, përfshirë 477 automjete rezistence ndaj minave dhe mbi 1.200 automjete të tipit “Humvee”.
Muajin e kaluar, presidenti amerikan tha se ShBA-ja për herë të parë do të dërgojë në Ukrainë një bateri raketore “Patriot”, që është sistemi më i avancuar raketor tokë – ajër që Perëndimi ka ofruar për ta luftuar pushtimin rus.
Në dhjetor, Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi gati 44,9 miliardë dollarë për ndihma ekonomike e ushtarake Ukrainës për një luftë që nuk po i shihet fundi.

