Erdogani i thotë Putinit se nevojitet armëpushim në Ukrainë për t’u arritur paqja - NACIONALE

Erdogani i thotë Putinit se nevojitet armëpushim në Ukrainë për t’u arritur paqja

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i ka thënë homologut rus, Vladimir Putin, gjatë një bisede telefonike se përpjekjet për paqe në luftën Rusi – Ukrainë duhet të mbështeten me një armëpushim të njëanshëm dhe me “një vizion për një zgjidhje të drejtë”, tha të enjten presidenca turke.

Erdogani dhe Putini kanë biseduar disa herë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurtin e vitit të kaluar. Turqia ka vepruar si ndërmjetëse, bashkë me Kombet e Bashkuara, për arritjen e marrëveshjes për eksportimin e drithërave nga portet e Ukrainës, shkruan agjencia “Reuters”.

“Presidenti Erdogan tha se thirrjet për paqe dhe bisedime duhet të përkrahen nga një armëpushim i njëanshëm dhe një vizion për një zgjidhje të drejtë”- thuhet në njoftim, duke u shtuar se Erdogani ia ka sjellë ndër mend Putinit rezultatet pozitive të marrëveshjes për eksportimin e drithërave.

Ukraina është eksportuese e madhe globale e drithërave, por të korrat dhe eksporti kanë rënë që nga fillimi i pushtimit rus, kur ushtria ruse filloi t’i bllokonte portet ukrainase.

Dy presidentët diskutuan edhe për Sirinë. Raportohet se presidenti turk i ka thënë Putinit se duhet të bëhen hapa konkretë për t’i larguar militantët kurdë nga rajoni kufitar me Sirinë, sipas njoftimit zyrtar.

“Presidenti Erdogan theksoi se tani duhet të bëhen hapa konkretë për ta larguar organizatën terroriste PKK/PYD/YPG nga rajonet kufitare afër Turqisë, sidomos Tel Rifat dhe Manbij”- thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme