Pse marrëveshja Ukrainë - Rusi për drithërat është shumë e rëndësishme? - NACIONALE

Pse marrëveshja Ukrainë - Rusi për drithërat është shumë e rëndësishme?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Turqia ka thënë se është arritur marrëveshje me Rusinë për ta lejuar Ukrainën që t’i eksportojë drithërat përmes Detit të Zi. Pse kjo gjë ka shumë rëndësi për rajonin dhe për tërë botën?

Ukraina është njëra ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë, por Kievi thotë se forcat detare ruse tash për tash nuk e lejojnë eksportimin e drithërave ose lëndëve të tjera.

Rusia i ka bllokuar portet e rëndësishme ukrainase në Detin e Zi. Sidoqoftë, Moska nuk e pranon fajin dhe e akuzon Ukrainën për vendosjen e minave në ujë.

Mungesa globale e drithërave të Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt ka lënë miliona njerëz në rrezik nga uria.

Në mesin e shteteve që kanë importuar më së shumti grurë nga Ukraina më 2020 ishin Moldavia, Libani, Katari, Tunizia, Libia, Pakistani, Indonezia, Malajzia, Egjipti dhe Bangladeshi.

Disa shtete të Lindjes së Mesme e Afrikës janë goditur veçanërisht nga mungesa e eksporteve ukrainase. Libia e Eritrea marrin mbi 40 për qind të grurit nga Ukraina, ndërsa Libani 81 për qind.

Marrëveshja do të ishte fitore e rrallë për diplomacinë

Rreth 20 milionë tonë drithëra raportohet se janë bllokuar në depo të qytetit bregdetar ukrainas, Odesa. Merret vesh se në marrëveshjen e paralajmëruar kërkohet një lloj armëpushimi në det.

Rusia nuk do t’i vendosë në shënjestër portet gjatë kohës kur dërgesat janë në kalim e sipër, ndërsa barkat ukrainase do t’i drejtojnë anijet me drithëra nëpër ujërat që janë me mina. Procesi do të bashkërendohet nga Turqia, që ka ndërmjetësuar mes dy palëve.

Ka shumë pikëpyetje në këtë marrëveshje, por nëse funksionon, do të jetë një fitore e rrallë për diplomacinë në një luftë brutale që nisi para gati pesë muajve.

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka paralajmëruar se dështimi për t’i hapur portet e Ukrainës do të rezultonte në uri masive.

Efekt pozitiv që para nënshkrimit

Lajmi për nënshkrimin e marrëveshjes për eksportimin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi ka ndikuar në rënien e çmimit global të grurit për 2 për qind.

“Para luftës, Ukraina ishte furnizuesja e pestë më e madhe në botë me grurë. Ka rënë në listë për shkak të bllokimit të porteve të saj, por sot, çmimet e grurit globalisht kanë rënë për 2 për qind në pritje të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje të madhe, që jep shenjë për ndikimin që mund ta ketë”, raportoi korrespondenti i gazetës “Financial Times” në Ankara, Laura Pitel./Nacionale

Lajme të ngjashme