Sot nënshkruhet marrëveshja për vazhdimin e eksportimit të drithërave ukrainase - NACIONALE

Sot nënshkruhet marrëveshja për vazhdimin e eksportimit të drithërave ukrainase

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ukraina, Rusia, Turqia dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të bashkuara, Antonio Guterres, të premten pritet që të nënshkruajnë një marrëveshje për vazhdimin e eksportimit të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi, njoftoi zyra e presidentit turk.

Të enjten në mbrëmje, zyra e presidentit turk, Rexhep Erdogan, tha se është arrirë një marrëveshje e përgjithshme për një plan të udhëhequr nga OKB-ja gjatë bisedimeve në Stamboll javën e kaluar dhe tashmë pakti do të vendoset në letër nga palët. Hollësitë e marrëveshjes nuk ishin menjëherë të ditura. Marrëveshja pritet të nënshkruhet në zyrat e Pallatit “Dolmabahce” në orën 15:30.

Para bisedimeve të javës së kaluar, diplomatët thanë se në plan përfshihen këto hollësi: anijet ukrainase do t’i drejtojnë anijet me drithëra për t’i nxjerrë nga portet dhe për t’i futur në porte përmes ujërave të minuara; Rusia do të pajtohet për armëpushim gjatë lundrimit të anijeve; Turqia, e përkrahur nga Kombet e Bashkuara, do t’i inspektojë anijet për ta qetësuar frikën e Rusisë për trafikim të mundshëm të armëve.

Kombet e Bashkuara dhe Turqia kanë punuar dy muaj për të ndërmjetësuar një marrëveshje për vazhdimin e eksportimit të drithërave ukrainase dhe lehtësimin e dërgesave ruse me drithëra dhe plehra artificiale. Departamenti i Shtetit i ShBA-së tha të enjten në mbrëmje se e mirëpret marrëveshjen në parim dhe se është i përqendruar në mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjes.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, tha se delegacioni ukrainas në bisedimet katërpalëshe do t’i përkrahë vetëm vendimet që i garantojnë sigurinë e rajoneve jugore të Ukrainës, “pozicionet e fuqishme” të forcave të armatosura ukrainase në Detin e Zi dhe eksportimin e sigurt të prodhimit bujqësor ukrainas, shkruan "The Guardian".

Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e përmendi shkurtazi mundësinë për marrëveshje në adresimin e tij të fundit, të enjten në mbrëmje, duke thënë: “Nesër presim gjithashtu lajme për shtetin tonë nga Turqia, në lidhje me zhbllokimin e porteve tona.”

Të enjten, zëvendësministri i Bujqësisë i Ukrainës, Taras Vysotskiy, tha se vendi i tij mund t’i rifillojë eksportimet shpejt. “Shumica e infrastrukturës (në portin e Odesa-s) ... mbetet, prandaj është çështje e disa javëve në rast se ka garanci të duhura të sigurisë”, tha ai në televizionin ukrainas.

Rusia e ka mohuar përgjegjësinë për përkeqësimin e krizës ushqimore, duke i fajësuar sanksionet perëndimore për ngadalësimin e eksporteve të saj të ushqimit e plehrave dhe Ukrainën për vendosjen e minave afër porteve të Detit të Zi.

Një ditë pas bisedimeve të Stambollit të javës së kaluar, Shtetet e Bashkuara u munduan që ta lehtësojnë eksportimin e ushqimit dhe plehrave ruse duke i siguruar bankat dhe kompanitë e transportit e të sigurimeve se transaksionet me këto lëndë nuk do t’i shkelnin sanksionet e Uashingtonit ndaj Moskës në lidhje me luftën në Ukrainë.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme