Perëndimi dhe Rusia në garë për të siguruar kalim të sigurt për drithërat e Ukrainës - NACIONALE

Perëndimi dhe Rusia në garë për të siguruar kalim të sigurt për drithërat e Ukrainës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një lojë diplomatike si macja e miu, Rusia dhe Perëndimi po paraqesin ide të ngjashme, nganjëherë konkurruese, për atë se si drithërat e Ukrainës, që nevojiten shumë, mund të kalojnë në mënyrë të sigurt nëpër Detin e Zi e të dërgohen në tregjet botërore. Të dyja blloqet po garojnë edhe për ta fituar betejën për opinionin botëror, nëse planet dështojnë.

The Guardian

Të dyja palët janë të zëna me diplomaci në Afrikë e në Lindje të Mesme duke u munduar që ta paraqesin kundërshtarin si fajtor për rritjen e çmimeve të ushqimit dhe plehrave. Rusia dhe Ukraina eksportojnë më shumë se çerekun e miellit në botë, ndërsa Rusia është e para në botë për eksportimin e plehrave. Indeksi i çmimit të plehrave i Bankës Botërore është rritur gati 10 për qind në çerekun e parë të këtij viti.

Grumbulli prej 20 milionë tonësh drithëra i Ukrainës duhet të eksportohet shpejt për ta shmangur rritjen e mëtejme të çmimeve të ushqimit dhe gjithashtu të ruhen të korrat e ardhshme ukrainase, të cilat tash për tash nuk mund të dërgohen në qendrat e grumbullimit, që tashmë janë të mbushura, shkruan “The Guardian”.

Në atë që ka filluar të duket si plan kryesor, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, është pajtuar që të takohet me presidentin turk, Rexhep Erdogan, por jo deri më 8 qershor, për propozimet që Turqia ta deminojë Odesën dhe pastaj t’i përcjellë anijet me drithëra nëpër Ngushticën e Bosforit përmes një korridori detar. Presidenti turk foli për këtë propozim të hënën me homologun rus, dhe, sipas deklaratës së autoriteteve turke, Putini ishte i gatshëm që të bashkëpunojë, me kushte.

Turqia, përmes Konventës së Montreux-it, është arbitre e trafikut detar për Detin e Zi dhe e justifikon refuzimin e saj si anëtare e NATO-s për t’i vendosur sanksione Rusisë duke e theksuar këtë rol unik. Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha të martën se siguria e ushqimit është çështja më e rëndësishme. “Ne po përqendrohemi në këtë. Po planifikojmë që të themelojmë një qendër në Stamboll për ta vëzhguar korridorin”, tha ai.

Në Evropë, kryeministri italian, Mario Draghi, e ka ndërmarrë nismën praktike, duke e diskutuar këtë çështje fillimisht me presidentin amerikan, Joe Biden, para dy javëve, pastaj duke zhvilluar bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar, pastaj me Putinin, pastaj me Zelenskyn përsëri.

Ukrainasit kanë thënë se kanë vullnet për ta marrë Odesën të deminuar, por duhet të caktohen kushte që forcat detare ruse të mos e përdorin largimin e minave si mundësi që t’i afrojnë më afër portit anijet luftarake. Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha: “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse garancia e njëanshme nga Kremlini nuk është e mjaftueshme. Kemi nevojë që vendet e treta të marrin përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjes.”

Italia dhe Britania e Madhe kanë bërë ofertë që ta kryejnë operacionin e deminimit, proces që do të mund të zgjasë dy javë, por Turqia mund të jetë zgjedhja e parapëlqyer e Rusisë për ta kryer këtë detyrë të rrezikshme.

Sipas kryeministrit italian, Putini ka dhënë shenjë se do ta hapte qasjen në Odesa, nëse mund të bëhen kontrolle të vlefshme për t’u siguruar se anijet me drithëra nuk janë duke bartur armë për Ukrainën. Çështje të pazgjidhura ekzistojnë edhe për prejardhjen e anijeve që do ta bënin përcjelljen e ngarkesave dhe kushtet e angazhimit të tyre, nëse kërcënohen nga Rusia.

Sipas Moskës, Putini e ka theksuar gatishmërinë e palës ruse për ta lehtësuar kalimin transit të mallrave pa u penguar në bashkërendim me partnerët turq. Sidoqoftë, Rusia gjithashtu dëshiron heqje të sanksioneve ndaj plehrave ruse. Kryeministri italian tha se për këtë po bëhet thirrje në BE edhe nga Afrika.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur gatishmëri për të ndihmuar. Ambasadorja e ShBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se vendi i saj është i përgatitur që të lëshojë “letra rehatie” për kompanitë e transportit dhe të sigurimeve për të ndihmuar për lehtësimin e eksportimit të drithërave dhe plehrave ruse./Nacionale

Lajme të ngjashme