Gjermania do që t’i japë Ukrainës 40 automjete të blinduara “Marder” para fundit të marsit - NACIONALE

Gjermania do që t’i japë Ukrainës 40 automjete të blinduara “Marder” para fundit të marsit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjermania tha të premten se dëshiron që t’i japë Ukrainës 40 automjete luftarake të këmbësorisë, “Marder”, para fundit të marsit.

Nënkancelari Robert Habeck tha se Berlini mundet që përfundimisht t’ia dhurojë Kievit tërë flotën funksionale të këtyre automjeteve.

Gjermania njoftoi të enjten se do t’i japë Ukrainës automjete “Marder”, duke e shtuar përkrahjen ushtarake për Kievin për t’i zmbrapsur forcat ruse. Njoftimi erdhi në të njëjtën ditë, kur Shtetet e Bashkuara premtuan automjete luftarake “Bradley”, dhe një ditë pasi Franca premtoi tanke të lehta për Ukrainën.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha se edhe një bateri raketore “Patriot” nga rezervat e ushtrisë do t’i dhurohet Ukrainës në çerekun e parë. Edhe Shtetet e Bashkuara ia kanë ofruar një sistem të tillë Ukrainës.

Trajnimi i ushtarëve për përdorimin e automjeteve “Marder” do të bëhet në Gjermani dhe do të zgjasë rreth tetë javë, njoftoi zëdhënësi Hebestreit.

Duke folur në Norvegji, nënkancelari gjerman, Habeck, tha se Gjermania duhet t’i dërgojë në Ukrainë “të gjithë Marder-ët që janë funksionalë”.

Ai nuk saktësoi se sa automjete të tilla do t’i jepen Ukrainës. Gjermania dikur kishte në përdorim qindra “Marder”, por e ka filluar largimin e armëve të periudhës së Luftës së Ftohtë për t’i zëvendësuar me automjetet “Puma”, të cilat i ka blerë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, është ballafaquar me thirrje brenda koalicionit qeveritar që ta shtojë përkrahjen ushtarake për Ukrainën pas njoftimit të Francës për dhurimin e tankeve të lehta të tipit AMX-10 RC.

Scholz-i i ka rritur shpenzimet ushtarake të Gjermanisë dhe ka vendosur që t’i dërgojë ndihma e armë Ukrainës, por nganjëherë ka nguruar që ta miratojë dhurimin e armëve të fuqishme nga frika për shpërthimin e konfliktit të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Lajme të ngjashme