Bordi i Paqes për Gazën do të drejtohet nga diplomati bullgar me përvojë të gjatë, Nickolay Mladenov - NACIONALE

Bordi i Paqes për Gazën do të drejtohet nga diplomati bullgar me përvojë të gjatë, Nickolay Mladenov

1 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Një ish-emisar i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme është zgjedhur për ta drejtuar Bordin e Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump, për mbikëqyrjen e armëpushimit në Gaza, tha të enjten kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Emërimi i diplomatit bullgar, Nickolay Mladenov, shënon një hap të rëndësishëm para për planin e paqes të Trumpit për Lindjen e Mesme, i cili ka lëvizur ngadalë që nga arritja e armëpushimit në tetor, kur iu dha fund më shumë se dy vjetëve luftime mes Izraelit e Hamasit, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Netanyahu e dha njoftimin pas takimit me Mladenovin në Jerusalem, duke e identifikuar atë si drejtor të përgjithshëm “të zgjedhur” të bordit me të cilin synohet mbikëqyrja e zbatimit të fazës së dytë dhe shumë më të ndërlikuar të armëpushimit.

Një zyrtar i lartë amerikan, duke folur në kushte anonimiteti për shkak se emërimi i bullgarit nuk është njoftuar ende zyrtarisht, konfirmoi se Mladenovi është zgjedhja e administratës së Trumpit për administrator të bordit në terren.

Trumpi ka thënë se ai do ta udhëheqë bordin. Emërime të tjera priten javën e ardhshme, sipas zyrtarëve amerikanë e izraelitë, të cilët folën në kushte anonimiteti në pritje të njoftimit zyrtar.

Sipas planit të Trumpit, ky bord do ta ketë për detyrë mbikëqyrjen e një qeverie të re teknokrate palestineze, çarmatosjen e Hamasit, dislokimin e një force ndërkombëtare të sigurisë, tërheqjet e reja të trupave izraelite nga Gaza dhe rindërtimin e enklavës. Shtetet e Bashkuara kanë raportuar për pak përparim në cilëndo prej këtyre fushave deri më tani.

Mladenov në të kaluarën ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes në vendin e tij. Ai gjithashtu ka qenë emisar i Kombeve të Bashkuara në Irak para se të emërohej emisar i OKB-së për Lindjen e Mesme nga viti 2015 deri më 2020. Gjatë asaj periudhe, ai kishte marrëdhënie të mira pune me Izraelin dhe shpesh ka punuar për ulejn e tensioneve mes Izraelit e Hamasit.

Më herët, nga viti 2007 deri në vitin 2009, Mladenov ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian. Ka studiuar në Universitetin e Ekonomisë Vendëse dhe Botërore në Sofje si dhe në King’s College në Londër./Nacionale

Lajme të ngjashme