“Boeing”-u urdhërohet t’ia paguajë 28 milionë dollarë familjes së viktimës së aksidentit të “737 MAX”-it - NACIONALE

“Boeing”-u urdhërohet t’ia paguajë 28 milionë dollarë familjes së viktimës së aksidentit të “737 MAX”-it

9 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Një trup gjykues i një gjykate federale në Chicago të Shteteve të Bashkuara të mërkurën e urdhëroi kompaninë “Boeing” që t’i paguajë më shumë se 28 milionë dollarë familjes së një punëtoreje të Kombeve të Bashkuara, e cila e kishte humbur jetën nga rrëzimi i aeroplanit “737 MAX” në vitin 2019 në Etiopi.

Vendimi për dëmshpërblim ndaj familjes së viktimës Shikha Gard është i pari në një varg padish të dorëzuara pas aksidentit dhe pas rrëzimit të një aeroplani tjetër në Indonezi më 2018. Në të dyja rastet kanë vdekur gjithsej 346 njerëz, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar mes palëve të mërkurën në mëngjes, familja e Garkut do të marrë 35,85 milionë dollar – shuma e plotë e vendimit plus 26 për qind interes – dhe kompania “Boeing” nuk do ta apelojë vendimin, sipas avokatëve të familjes.

Në një deklaratë, një zëdhënës i kompanisë “Boeing” tha se firmës i vjen thellësisht keq për të gjithë ata që i kanë humbur të dashurit e tyre në dy fluturimet.

Shanin Specter dhe Elizabeth Crawford, të cilët e përfaqësuan familjen e viktimës, thanë në një deklaratë se vendimi i gjykatës “ofron llogaridhënie publike për sjelljen e gabuar të Boeing-ut”.

Garg ishte 32 vjeçe, kur aeroplani i kompanisë ajrore “Ethiopian Airlines”, me fluturimin me numër 302 nga Addis Ababa i Etiopisë drejt Nairobit të Kenias u rrëzua vetëm pak minuta pas nisjes, thanë avokatët e saj.

Në padi pretendohej se aeroplani “737 MAX” kishte dizajn me defekte dhe se kompania “Boeing” kishte dështuar që t’i paralajmëronte pasagjerët dhe publikun për rreziqet.

Aeroplani i kompanisë “Ethiopian Airlines” u rrëzua pesë muaj pasi një aeroplan tjetër i kompanisë “Lion Air” u rrëzua në Detin Java në Indonezi. Një sistem automatik për kontrollimin e fluturimit kontribuoi në të dyja aksidentet./Nacionale

Lajme të ngjashme