Blinkeni më i ashpër se kurrë më parë në Izrael: S’keni licencë për t’i çnjerëzuar të tjerët - NACIONALE

Blinkeni më i ashpër se kurrë më parë në Izrael: S’keni licencë për t’i çnjerëzuar të tjerët

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Në një qortim thumbues rreth luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, të mërkurën e paralajmëroi këtë shtet se nuk ka “licencë për t’i çnjerëzuar të tjerët”.

“Izraelitët u çnjerëzuan në mënyrën më të tmerrshme më 7 tetor. Pengjet janë çnjerëzuar përditë nga ajo kohë, por kjo nuk mund të jetë licencë për t’i çnjerëzuar të tjerët” – tha kryediplomati amerikan në një konferencë për gazetarë në Tel Aviv, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë fshehur pakënaqësinë e tyre me Izraelin për numrin e viktimave civile në Rripin e Gazës dhe për situatën humanitare atje gjatë luftës, por kritika e së mërkurës ishte më e ashpra deri më tani, thekson gazeta izraelite.

Blinkeni kaloi një pjesë të konsiderueshme të komenteve në këto tema, një ditë pas takimit me udhëheqës politikë e ushtarakë të Izraelit.

“Shumica dërrmuese e njerëzve në Gaza nuk kishin të bënin asgjë me sulmet e 7 tetorit. Familjet në Gaza, mbijetesa e të cilave varet nga dërgesat e ndihmave nga Izraeli, janë njësoj si familjet tona. Ato janë nëna e etër, bij e bija, të cilët duan të sigurojnë një jetesë të denjë, t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, të kenë një jetë normale. Kështu janë ata. Kjo është ajo që e dëshirojnë” – shtoi zyrtari i lartë i administratës amerikane.

“Dhe ne nuk mundemi, nuk duhet ta humbim këtë nga sytë. Ne nuk mundemi, nuk duhet ta humbim shikimin nga humanizmi ynë i përbashkët” – shtoi ai.

Blinkeni tha më tej se Shtetet e Bashkuara e kanë shtyrë dhe vazhdojnë që ta shtyjnë Izraelin “në mënyra konkrete për ta fuqizuar mbrojtjen e civilëve” dhe për të dërguar më shumë asistencë tek ata që kanë nevojë për të.

Megjithatë, ai theksoi se “Izraeli ka bërë hapa të rëndësishëm” rreth fillimit të qarkullimit të ndihmave, pastaj duke i dyfishuar ato gjatë armëpushimit të parë në fund të nëntorit, duke hapur korridore civile si dhe pikëkalimin kufitar “Kerem Shalom.

“Si rezultat, më shumë asistencë se kurrë më parë” është duke qarkulluar në më shumë vende në Gaza “se në çdo kohë nga 7 tetori”.

Sidoqoftë, Blinkeni nënvizoi se Izraeli “duhet të sigurohet që shpërndarja e asistencës jetëshpëtuese në Gaza të mos bllokohet për asnjë arsye, nga askush”, duke aluduar te protestat e izraelitëve në pikëkalimin kufitar “Kerem Shalom”. Ai gjithashtu i bëri thirrje për herë të parë publikisht Izraelit që ta lejojë arritjen e ndihmave në veri të Gazës në mënyrë më të drejtpërdrejtë.

Në të njëjtën kohë, sekretari Blinken paralajmëroi se “shifra ditore që operacionet ushtarake [të Izraelit] vazhdojnë ta shkaktojnë ndaj civilëve të pafajshëm në Gaza mbetet shumë e lartë”.

Më shumë se 27 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi. Lufta u nxit nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit, kur u vranë 1.200 njerëz e rreth 250 të tjerë u morën peng, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.

Lajme të ngjashme