Bideni “thellësisht i shqetësuar” për rrjedhjen e dokumenteve sekrete për planet e Izraelit - NACIONALE

Bideni “thellësisht i shqetësuar” për rrjedhjen e dokumenteve sekrete për planet e Izraelit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është “thellësisht i shqetësuar” për publikimin e paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara rreth përgatitjes së Izraelit për një sulm të mundshëm hakmarrës ndaj Iranit, tha të hënën një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Administrata e Bidenit ende nuk është e sigurt nëse të dhënat e klasifikuara kanë rrjedhur apo janë hakuar, tha zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby. Zyrtarët nuk kanë ndonjë shenjë në këtë moment se “dokumente shtesë si ky e kanë gjetur rrugën drejt domenit publik”, tha ai.

Kirby shtoi se Pentagoni është duke e hetuar rastin. Disa zyrtarë amerikanë të shtunën kishin konfirmuar një hetim nga administrata, raporton agjencia “Associated Press”.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar dhe presidenti mbetet thellësisht i shqetësuar për çfarëdo rrjedhjeje të të dhënave të klasifikuara në domenin publik. Kjo nuk duhet të ndodhë dhe është e papranueshme, kur ndodh” – shtoi Kirby.

Thuhet se dokumentet i përkasin Agjencisë Kombëtare për Inteligjencë Gjeohapësinore dhe Agjencitë për Siguri Kombëtare dhe në to theksohet se Izraeli ishte ende duke vendosur asete ushtarake në gjendje gatishmërie për të kryer një sulm ushtarak si kundërpërgjigje ndaj sulmit iranian me raketa më 1 tetor. Dokumentet mund të ndaheshin brenda grupit “Pesë Sytë”, aleancë e inteligjencës që përbëhet nga ShBA-ja, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re.

Të klasifikuara si “top sekrete”, dokumentet fillimisht u shfaqën në internet të premten në aplikacionin “Telegram” dhe u shpërndanë shpejt nëpër kanalet e kësaj platforme, që është e popullarizuar tek iranianët.

Analistët e Grupit të Inteligjencës SITE, kompani konsuluese që i vëzhgon dhe i analizon rreziqet në internet nga grupet ekstreme, e zbuluan lidhjen e publikimit të dokumenteve me një kanal në “Telegram” që është i popullarizuar te grupet militante të përkrahura nga Irani. Në kanal kishte postime nga një përdorues anonim me histori të gjatë të publikimit të përmbajtjeve gjoja top sekrete, që thoshte se kishte qasje në dokumentet e rrjedhura. Përdoruesi gjithashtu tha se kishte shitur një pjesë të materialit dhe ia kishte ofruar atë ushtrisë iraniane.

Publikimi i dokumenteve ndodh në një kohë të rëndësishme në Lindjen e Mesme, kur Izraeli po e shqyrton kundërpërgjigjen ndaj sulmit iranian./Nacionale

Lajme të ngjashme