Bideni e prezantoi Zelenskyn si "presidenti Putin", vjen reagimi i Rusisë - NACIONALE

Bideni e prezantoi Zelenskyn si "presidenti Putin", vjen reagimi i Rusisë

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Kremlini tha të premten se e tërë bota u kishte kushtuar vëmendje rrëshqitjeve gjuhësore të presidentit amerikan, Joe Biden, në samitin e NATO-s në Uashington dhe se mënyra se si ai kishte folur për presidentin rus, Vladimir Putin, ishte e papranueshme.

Bideni të enjten e prezantoi gabimisht presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, si “presidenti Putin”, para se ta përmirësonte shpejt veten. Pastaj, ai i ngatërroi emrat e nënpresidentes amerikane, Kamala Harris, dhe të rivalit të tij republikan, Donald Trump, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne vërejtëm se e tërë bota i kushtoi vëmendje asaj që ndodhi dhe nuk mund të ketë koment këtu [nga ne], por është e qartë se këto ishin rrëshqitje gjuhe” – iu tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Është e kuptueshme që ata ndoshta morën një rezonim të tillë të gjerë, duke e marrë parasysh kontekstin e diskutimeve të brendshme politike që ne tani po i shohim në ShBA, por kjo nuk është temë e jona, është temë e brendshme e ShBA-së” – shtoi ai.

Performanca e dobët e Bidenit në një debat me Trumpin muajin e kaluar dhe gafa të tjera më vonë kanë nxitur debat intensiv për gjendjen e tij mendore dhe kanë shtyrë disa demokratë që të bëjnë thirrje për tërheqjen e presidentit nga gara.

Peskovi tha se u përket votuesve amerikanë, jo Rusisë, që ta përcaktojë të ardhmen e kandidatëve presidencialë në ShBA.

Sidoqoftë, ai shtoi se Kremlini i ka vërejtur ato që i quajti komente jorespektuese që Bideni i kishte bërë për Putinin.

Ai nuk tregoi se për cilat komente bëhet fjalë, por Bideni iu referua Putinit në samitin e NATO-s si “i çmendur vrasës”.

“Ne vazhdojmë që ta konsiderojmë këtë sjellje absolutisht të papranueshme dhe të palejueshme për një udhëheqës shteti që të bëjë komente të tilla jorespektuese për krerë të tjerë shtetesh. Po u referohem komenteve të tij për presidentin Putin” – tha Peskovi.

“Kjo është e papranueshme për ne dhe nuk mendojmë se kjo në ndonjë mënyrë bën një udhëheqës amerikan të shtetit që të duket mirë. Kjo është diçka që ne i kushtojmë vëmendje të drejtpërdrejtë dhe diçka që është absolutisht e papranueshme për ne” – shtoi zëdhënësi i Kremlinit.

Kremlini në të kaluarën e ka akuzuar Bidenin për komente të pahijshme rreth Putinit. Më 2021, Bideni e kishte miratuar përshkrimin e një intervistuesi për Putinin si “vrasës”, ndërsa në shkurt të këtij viti e kishte quajtur “birë kur*e i çmendur”./Nacionale

Lajme të ngjashme