Biden pas bisedimeve me Xi: Nuk pres që Kina të sulmojë Tajvanin - NACIONALE

Biden pas bisedimeve me Xi: Nuk pres që Kina të sulmojë Tajvanin

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Presidenti i SHBA-së Joe Biden u tha gazetarëve se kishte diskutuar për Tajvanin me homologun e tij kinez Xi Jinping dhe pavarësisht tensioneve mbi atë ishull, Biden tha se një veprim ushtarak nga Kina nuk kishte gjasa.

Pas takimit të tij të parë ballë për ballë me Xi që kur u bë president i SHBA-së, Biden tha në një konferencë shtypi se ata kishin pasur diskutime të sinqerta rreth një sërë çështjesh të pazgjidhura që po kontribuojnë në marrëdhëniet më të këqija SHBA-Kinë në dekada.

Pas takimit, Xi e quajti Tajvanin "vijën e parë të kuqe" që nuk duhet të kalohet në marrëdhëniet SHBA-Kinë, raportuan mediat shtetërore kineze.

Biden tha se ai kërkoi të siguronte Xi-në se politika e SHBA-së ndaj Tajvanit nuk kishte ndryshuar dhe u përpoq të reduktonte tensionet mbi ishullin vetëqeverisës. "Unë nuk mendoj se ka ndonjë përpjekje të menjëhershme nga Kina për të pushtuar Tajvanin", u tha Biden gazetarëve.

Biden tha gjithashtu se SHBA do të duhet të mbrojë më fort aleatët amerikanë në rajon nëse Pekini nuk mund të frenojë testimin e armëve të Koresë së Veriut. Dy fuqitë botërore kanë krijuar një mekanizëm për komunikim më të shpeshtë dhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë në Kinë për bisedime të mëtejshme, tha Biden.

"Është e mrekullueshme të të shoh"

Të dy liderët shtrënguan duart ngrohtësisht para flamujve kombëtarë në një hotel në ishullin indonezian të Balit përpara takimit, një ditë përpara samitit të G20 që do të jetë i mbushur me tensione për pushtimin rus të Ukrainës. "Është e mrekullueshme që të shoh", i tha Bidenit presidenti kinez Xi-t përpara takimit, i cili zgjati pak më shumë se tre orë.

Por Biden ngriti kundërshtime në takim për "veprimet shtrënguese dhe gjithnjë e më agresive të Kinës ndaj Tajvanit", "praktikat ekonomike jo të tregut" të Pekinit dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në "Xinjiang, Tibet, Hong Kong dhe më gjerë".

“Si liderë të dy kombeve tona, besoj se ne ndajmë një përgjegjësi për të demonstruar se Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të menaxhojnë dallimet, të parandalojnë shndërrimin e konkurrencës në konflikt dhe të gjejnë mënyra për të punuar së bashku për çështjet urgjente globale që kërkojnë bashkëpunimin tonë”, tha Biden.

Xi tha para takimit se marrëdhënia midis Pekinit dhe Uashingtonit nuk përmbushi pritjet globale. “Zgjidhja e çështjes së Tajvanit është një çështje e politikës së brendshme të Kinës”, tha Xi, sipas mediave shtetërore.

Pekini pretendon Tajvanin dhe prej kohësh ka kërcënuar se do ta vendosë Tajvanin nën kontrollin e tij, duke mos përjashtuar përdorimin e forcës. Qeveria demokratike e Tajvanit pretendon se vetëm 23 milionë banorët e ishullit kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e ishullit.

Marrëdhëniet e tensionuara të fuqive botërore

Marrëdhëniet SHBA-Kinë janë tronditur nga një sërë çështjesh - nga Hong Kongu dhe Tajvani në Detin e Kinës Jugore, praktikat tregtare dhe kufizimet e SHBA-së ndaj teknologjisë kineze.

Por zyrtarët amerikanë thonë se Pekini dhe Uashingtoni kanë bërë përpjekje të qeta për të përmirësuar marrëdhëniet gjatë dy muajve të fundit. Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen u tha gazetarëve më herët në Bali se qëllimi i takimit ishte stabilizimi i marrëdhënieve të tyre dhe krijimi i një "atmosfere më të sigurt" për kompanitë amerikane.

Biden dhe Xi, të cilët kanë mbajtur pesë thirrje telefonike ose video që kur Biden u bë president i SHBA-së në janar 2021, u takuan për herë të fundit personalisht kur Biden ishte nënkryetar në administratën e Barack Obamës.

Një nga temat e nxehta të samitit të G20 do të jetë lufta ruse në Ukrainë

Xi dhe Putin janë afruar më shumë vitet e fundit dhe janë të lidhur nga një mosbesim ndaj Perëndimit, duke riafirmuar partneritetin e tyre vetëm disa ditë para se Rusia të pushtonte Ukrainën. Por Kina u përmbajt nga mbështetja e drejtpërdrejtë materiale për Rusinë për të mos shkaktuar sanksione perëndimore kundër saj.

Kryeministri kinez Li Keqiang paralajmëroi për "papërgjegjësinë" e kërcënimeve bërthamore në një samit në Kamboxhia, duke sugjeruar se Kina nuk është rehat me retorikën bërthamore të Rusisë, tha një zyrtar i administratës së Bidenit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se do t'i drejtohet samitit të G20-ës përmes videolidhjes të martën. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të përfaqësojë Putinin në samitin e G20. /Nacionale/

Lajme të ngjashme