BE-ja arriti një marrëveshje, ky është një plan për pavarësi nga gazi dhe nafta ruse
Bashkimi Evropian ndërmori një hap drejt fitimit të pavarësisë nga importet ruse të karburanteve fosile dhe diversifikimit të furnizimit të tij me energji dhe tranzicionit të gjelbër pasi deputetët dhe Këshilli Evropian arritën të mërkurën një marrëveshje të përkohshme mbi REPowerEU për të plotësuar planet kombëtare të rimëkëmbjes dhe rezistencës.
Negociatorët nga dy komitete të Parlamentit Evropian (PE), Komiteti i Buxhetit dhe Komiteti i Çështjeve Ekonomike dhe Monetare, arritën një marrëveshje të vështirë prej 20 miliardë eurosh me Këshillin për masat për të kursyer energjinë, për të prodhuar energji të pastër dhe për të diversifikuar furnizimin.
"Ne kemi përfunduar me sukses negociatat midis PE dhe Këshillit sonte. Ne kemi arritur atë që kemi premtuar dhe REPowerEU do të hyjë në fuqi në fillim të vitit," tha Siegfried Mureşan, një nga kryenegociatorët e PE-së.
"Me fonde të reja në shumën prej 20 miliardë eurosh, REPowerEU do të ndihmojë anëtarët të reduktojnë varësinë e tyre nga karburantet fosile ruse dhe gjithashtu t'i ndihmojnë ata të përshpejtojnë kalimin në energjinë e rinovueshme", shtoi Muresan, nga radhët e Partisë Popullore Evropiane (EPP).
Von der Leyen mirëpriti planin e "tranzicionit të drejtë të gjelbër".
Kreu i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përshëndeti planin për "një tranzicion të drejtë të gjelbër në BE", REPower BE, për financimin plotësues evropian që duhet të ndihmojë veçanërisht familjet e cenueshme dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Ai plan është një mjet që mbështet kompanitë e vogla dhe të mesme në kalimin drejt burimeve më të lira dhe më të pastra të energjisë”, tha kreu i Komisionit.
Nga 20 miliardë euro grante, negociatorët e PE-së siguruan tetë miliardë nga shitja në ankand e njësive të emetimit brenda ETS, Sistemi i BE-së për Tregtimin e Emetimeve të Gazeve Serë, ndërsa 12 miliardë do të ndahen nga Fondi i Inovacionit.
Fondi i Inovacionit të BE-së është një nga programet më të mëdha të financimit për demonstrimin dhe komercializimin e teknologjive inovative me karbon të ulët në botë, dhe menaxhohet nga Agjencia Ekzekutive Evropiane për Klimën, Infrastrukturën dhe Mjedisin (CINEA).
Sipas marrëveshjes, shtetet anëtare duhet të investojnë të paktën 30 për qind të fondeve të REPowerEU në projekte ndërkufitare.
RePowerEU tani, si marrëveshje e përkohshme, duhet të miratohet nga të dy komisionet e Parlamentit përpara se të hidhet në votim dhe për të hyrë në fuqi duhet të pranohet edhe nga Këshilli.
Paulo Gentiloni, Komisioneri i Komisionit Evropian për Punësimin dhe të Drejtat Sociale, tha sot në debatin për krizën e kostos së jetesës se marrëveshja REPowerEU është një nga mjetet për të zbutur krizën sociale, së bashku me direktivën për pagën minimale dhe taksimi i fitimeve shtesë të papritura të kompanive të energjisë, dhe veçanërisht plani bazë i rimëkëmbjes NextGenerationEU.
"Ne duhet të investojmë në qëndrueshmërinë e shoqërisë sonë. Jemi krenarë për modelin tonë social. Ne kemi asete të përbashkëta në NextGenerationEU dhe duhet të investojmë më shumë në konkurrencën tonë," tha Gentiloni.
Nëse humbasim konkurrencën, nuk do të dalim nga kjo krizë, paralajmëroi Gentiloni. /Nacionale/