BBC: Forcat speciale britanike mund të kenë vrarë ilegalisht 54 të ndaluar në Afganistan
Sipas një hulumtimi të televizionit BBC, pjesëtarët e forcave speciale britanike, SAS, kanë vrarë vazhdimisht persona të ndaluar dhe të paarmatosur në rrethana të dyshimta në Afganistan.
Në bazë të raportimeve ushtarake të siguruara rishtazi, merret vesh se një njësit mund të ketë vrarë 54 persona në mënyrë të paligjshme brenda një periudhe gjashtëmujore.
BBC-ja ka gjetur dëshmi që sugjerojnë se ish-kreu i forcave special kishte dështuar që t’i kalonte dëshmitë për hetimin për vrasje. Ministria e Mbrojtjes tha se trupat britanike “kanë shërbyer me guxim dhe profesionalizëm në Afganistan”.
Televizioni britanik merr vesh se gjenerali Mark Carleton-Smith, ish-udhëheqës i Forcave Speciale të Mbretërisë së Bashkuar, është informuar për vrasjet e paligjshme, por nuk ia ka përcjellë dëshmitë Policistë Ushtarake Mbretërore, edhe pasi ky institucion kishte nisur një hetim për vrasje.
Gjenerali Carleton-Smith, i cili më pas ishte bërë komandant i përgjithshëm i ushtrisë britanike para se të largohej muajin e kaluar, refuzoi që ta komentonte këtë rast.
Programi “BBC Panorama” analizoi qindra faqe të të dhënave operacionale të forcave SAS, përshirë raportimet që mbulojnë mbi dhjetë bastisje “vrit ose kap”, të kryera nga një skuadron i kësaj force në provincën Helmand më 2010 dhe 2011.
Disa persona, që kanë shërbyer në këtë skuadron të SAS-it, i thanë BBC-së se kanë qenë dëshmitarë, kur pjesëtarët e këtyre forcave kanë vrarë persona të paarmatosur gjatë bastisjeve të kryera natën.
Ata gjithashtu thanë se i kanë parë pjesëtarët e kësaj force duke përdorur të ashtuquajtura “armë të lëshuara” – pushkë të tipit AK-47, të vendosura në vendin e ngjarjes për ta justifikuar vrasjen e një personi të paarmatosur.
Disa persona që shërbyen në forcat special thanë se skuadronet e SAS-it garonin me njëri-tjetrin për të bërë më së shumti vrasje dhe se skuadroni i hulumtuar nga BBC-ja mundohej që të arrinte shifër më të lartë se njësiti që e kishte zëvendësuar.
Sipas dërgesave të brendshme elektronike, oficerët e niveleve më të larta të Forcave Speciale ishin të vetëdijshëm se kishte shqetësime për vrasje të paligjshme të mundshme, por nuk i kishin raportuar dyshimet te policia ushtarake pavarësisht nga detyrimi ligjor për ta bërë këtë./Nacionale