BBC: Dështim kolosal i inteligjencës izraelite, duket se u zu në gjumë
Korrespondenti i sigurisë i televizionit BBC, Frank Gardner, e ka cilësuar dështim kolosal të inteligjencës izraelite arritjen e militantëve palestinezë për t’u futur brenda territorit të vendit dhe për të sulmuar.
“Shteti (i Izraelit) e ka njërin prej rrjeteve më të gjera e më të sofistikuara të inteligjencës në Lindje të Mesme, brenda dhe jashtë”- shkroi korrespondenti i televizionit publik britanik.
“Ka informatorë të rrënjosur thellë brenda grupeve militante, jo vetëm në territoret palestineze, por në Liban, Siri e në vende të tjera”- shtoi ai.
Gazetari Gardner e thekson fatin që Izraeli në të kaluarën ka arritur që të vrasë udhëheqës të militantëve, qoftë me sulme të sakta me dronë, qoftë me telefona grackë.
Ai shton se Hamasi ka arritur që ta planifikojë dhe ta nisë këtë sulm të bashkërenduar me kujdes ndaj Izraelit, si duket, në fshehtësi të plotë.
Korrespondenti pret që Izraeli të hakmerret me forcë masive. “… por izraelitët tani do të bëjnë pyetje pse spiunët e vendit të tyre dështuan që ta shihnin ardhjen e kësaj dhe ta paralajmëronin shtetin në mënyrën e duhur”- shtoi ai.
Agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad, njihet si njëra ndër më të suksesshmet dhe më të mëdhatë në botë. Ka buxhet prej rreth 2,73 miliardë dollarësh dhe punëson drejtpërdrejt rreth shtatë mijë persona.

