Baza ajrore e NATO-s në Gjermani përsëri në gjendje të lartë vigjilence, të dhëna për rrezik
Baza ajrore e NATO-s në qytezën Geilenkirchen qëndroi në gjendje të lartë vigjilence të premten, tha një zëdhënëse, pasi niveli i sigurisë u rrit gjatë natës “duke u mbështetur në të dhëna të inteligjencës që tregojnë një rrezik potencial”.
“Ne ende jemi në Charlie” – i tha agjencisë “Reuters” një zëdhënëse e bazës, duke iu referuar shkallës së dytë më të lartë nga katër nivelet e vigjilencës, raporton agjencia “Reuters”.
Niveli i sigurisë “Charlie” përshkruhet si “një incident ka ndodhur ose janë pranuar të dhëna të inteligjencës që tregojnë se ndonjë formë e veprimit terrorist kundër organizatave ose personelit të NATO-s është shumë i mundshëm”.
Zëdhënësja tha se baza ku ndodhet flota e aeroplanëve vëzhgues të NATO-s, AWACS, ishte duke punuar me staf minimal si masë parandaluese dhe se operacionet po vazhdonin sipas planeve.
Ajo shtoi se ky rast nuk ka lidhje me incidentin e javës së kaluar, kur niveli i sigurisë në bazë ishte ngritur për një kohë të shkurtër, pasi një bazë ushtarake në Köln po hetonte një sabotim të dyshimtë në furnizimin me ujë.
Në të njëjtën ditë, edhe baza në Geilenkirchen gjithashtu raportoi një incident të përpjekjes së dikujt për të hyrë në hapësirën e saj.
Sa i përket sabotimit të dyshimtë në bazën në Köln, ushtria gjermane më vonë kishte treguar se gjithçka ishte në rregull, duke thënë se rezultatet e testit kishin treguar se uji i çezmës nuk ishte i kontaminuar.
NATO-ja në të kaluarën ka paralajmëruar për një fushatë me veprime armiqësore të organizuara nga Rusia, përfshirë aktet e sabotimit dhe sulmet kibernetike. Rusia vazhdimisht e ka akuzuar NATO-n për rrezikim të sigurisë së saj.
Në qershor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ushtarake perëndimore po shihte një model që ishte duke evoluuar dhe se sulmet e fundit ishin rezultat i aktivizimit më të madh të inteligjencës ruse.
Disa incidente në territorin e vendeve të NATO-s janë trajtuar si të dyshimta nga analistët viteve të fundit, në mesin e tyre edhe dëmtimi i një kablloje kritike nën det që e lidh arkipelagun Svalbard me pjesën kryesore të Norvegjisë më 2022./Nacionale