Pas bazës në Këln, izolohet baza ajrore e NATO-s në Geilenkirchen të Gjermanisë
Një bazë ajrore e NATO-s në qytezën gjermane Geilenkirchen u izolua për shkak të një rasti të dyshimtë të sabotazhit të mërkurën.
Ndërmarrjen e kësaj mase e bëri të ditur një zëdhënës i Komandës Territoriale të ushtrisë gjermane në Berlin, pasi një incident i ngjashëm ndodhi edhe në një bazë në Këln, raporton agjencia “Reuters”.
Gazeta gjermane, “Suddeutsche Zeitung”, ishte e para që raportoi për incidentin në Geilenkirchen.
Gazeta “Nacionale” më herët të mërkurën raportoi për incidentin në bazën në Këln, ku dyshohej për sabotim dhe ushtarët e punëtorët ishin udhëzuar që të mos e pinin ujin e çezmës. Më poshtë po e ribotojmë artikullin për incidentin e mëhershëm:
Izolohet baza ushtarake ku mbahen aeroplanët me të cilët udhëton Scholzi në Gjermani, dyshohet për sabotim
Një bazë ushtarake gjermane afër aeroportit të Këlnit është izoluar dhe mijëra ushtarë që ndodhen në të janë këshilluar që të mos pinë ujë të çezmës, pasi autoritetet po e hetojnë atë që mund të jetë akt sabotimi, tha të mërkurën një burim i sigurisë.
Uji në këtë bazë, që ka 4.300 ushtarë e 1.200 punëtorë civilë, mund të jetë kontaminuar, pasi dikush u fut në hapësirat e bazës, shtoi burimi, duke konfirmuar një raport të revistës “Spiegel”, raporton agjencia “Reuters”.
Këshilla për të mos pirë ujë të çezmës u dha si masë parandaluese, përderisa policia, policia ushtarake dhe agjencia e inteligjencës ushtarake po e hetonin sabotimin e dyshimtë kundër forcave gjermane, shtoi burimi.
Baza në Këln-Wahn e strehon flotën e aeroplanëve ushtarakë që përdoren për udhëtime nga kancelari Olaf Scholz dhe ministrat e tij.
Një zëdhënës i Komandës Territoriale në Berlin konfirmoi se baza ishte izoluar, por refuzoi që të jepte hollësi.
“Ne i kemi arsyet tona për këtë veprim dhe ne e marrim rastin seriozisht” – tha ai.
Agjencia e inteligjencës ushtarake nuk qe menjëherë në dispozicion për koment. Policia në Këln tha se nuk mund të komentonte./Nacionale
NATO-ja më parë ka paralajmëruar për një fushatë me veprime armiqësore nga Moska, përfshirë aktetet e sabotimit dhe sulmet kibernetike, por nuk kishte shenja se kush mund të kishte siguruar qasje të paligjshme në bazën afër Këlnit.
Në qershor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca kishte parë një model që po evoluonte dhe se sulmet e fundit ishin rezultat i aktivizimit më të madh të inteligjencës ruse.
Disa shtete, si Polonia, Gjermania, Britania e Republika Çeke, kanë raportuar incidente në muajt e fundit./Nacionale