"Balona spiune në telefonin tuaj": Shtohen thirrjet për ndalim të TikTok-ut - NACIONALE

"Balona spiune në telefonin tuaj": Shtohen thirrjet për ndalim të TikTok-ut

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Balona kineze e spiunazhit që u kap duke fluturuar mbi qiellin e ShBA-së muajin e kaluar, jo vetëm që ka ngritur tensionet midis Pekinit e Uashingtonit, por gjithashtu ka sjellë një hije mbi të ardhmen e TikTok.

Javën e kaluar, një komitet i Kongresit amerikan mbështeti legjislacionin që do t'i jepte presidentit të ShBA-së, fuqinë për të ndaluar aplikacionin e videove sociale. Lidhur me ndalesën, kryetari republikan i komitetit, Michael McCaul, ka thënë se incidenti kishte përforcuar frikën e mbikëqyrjes së shtetit kinez, duke e përshkruar TikTok-un si një "balonë spiune në telefonin tuaj".

Vendimi i ShBA-së për ndalim të aplikacionit erdhi pak ditë pas ndalesës nga Kanadaja, dhe pas ndalesës që Parlamenti Evropian bëri për telefonat e stafit, dhe tani TikTok është duke u përballur me kërcënim të përshkallëzimit të këtyre ndalimeve.

Ende nuk është bërë shumë e qartë se si do të zbatohej një ndalim i aplikacionit në mbarë ShBA-në, por teksti i projektligjit të McCaul citon Christopher Wray, drejtorin e FBI-së, i cili ka paralajmëruar se prindi i TikTok është "i kontrolluar nga qeveria kineze".

Ai ka thënë se shteti kinez mund të ndikojë te njerëzit duke manipuluar algoritmin që kuron atë që njerëzit shohin në TikTok, si dhe duke i dhënë qeverisë mundësinë për të mbledhur të dhënat e përdoruesve për "operacionet tradicionale të spiunazhit".

Megjithatë, deri më tani TikTok ka mohuar që të dhënat e tij, ose algoritmi, mund të aksesohen nga shteti kinez.

Lajme të ngjashme