Kina kundërshton vendimin e ShBA-së për ndalimin e TikTok-ut në pajisjet e stafit - NACIONALE

Kina kundërshton vendimin e ShBA-së për ndalimin e TikTok-ut në pajisjet e stafit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas një urdhëri që Shtëpia e Bardhë u ka dhënë agjencive qeveritare që punojnësit e tyre të mos e kenë më aplikacionin kinez TikTok në telefonat e tyre të lëshuar nga qeveria, një reagim i ashpër ka ardhur nga Kina.

Vendi ka akuzuar ShBA-në për një reagim të tepruar, me një zëdhënës të ministrisë së Jashtme Kineze, i cili ka thënë se ShBA është duke abuzuar me pushtetin shtetëror për të shtypur firmat e huaja.

"Ne i kundërshtojmë me vendosmëri këto veprime të gabuara. Qeveria amerikane duhet të respektojë parimet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme, të ndalojë shtypjen e kompanive dhe të sigurojë një mjedis të hapur, të drejtë dhe jodiskriminues për kompanitë e huaja në ShBA,"- ka thënë zëdhënësja kineze Mao Ning.

Ajo ka shtuar edhe një pyetje, duke thënë se, “Sa e pasigurtë në vetëvete mund të jetë superfuqia më e madhe në botë, që të ketë frikë nga aplikacioni i preferuar i të rinjve."

Ditën e hënë, Shtëpia e Bardhë u dha 30 ditë kohë të gjitha agjencive qeveritare për të siguruar që punonjësit zyrtarë të mos e kenë aplikacionin në telefonat e tyre.

Lëvizje të ngjashme javët e fundit kanë ardhur edhe në BE dhe Kanada, pasi zyrtarët perëndimorë janë bërë gjithnjë e më të shqetësuar për aplikacionin popullor për ndarjen e videove - i cili është në pronësi të firmës kineze ByteDance.

Gjithë kjo vjen për shkak se TikTok është përballur me akuza se mbledh të dhënat e përdoruesve dhe ia dorëzon qeverisë kineze, me disa agjenci të inteligjencës të shqetësuara se kur shkarkohet aplikacioni në pajisje qeveritare mund të ekspozohen informacione delikate.

Lajme të ngjashme