Komisioni Evropian e ndalon TikTok-un në pajisjet e stafit
Stafi që punon në Komisionin Evropian është urdhëruar që ta fshijë aplikacionin TikTok nga telefonat e tyre dhe nga pajisjet e institucionit.
Komisioni tha se do ta zbatojë këtë masë “për t’i mbrojtur të dhënat dhe për ta shtuar sigurinë kibernetike”, raporton televizioni BBC.
TikTok-u është në pronësi të kompanisë kineze “ByteDance” dhe është ballafaquar me dyshime për grumbullimin e të dhënave të përdoruesve e dorëzimin e tyre te qeveria kineze. Megjithatë, përfaqësuesit e këtij aplikacioni kanë këmbëngulur se veprojnë njësoj si rrjetet e tjera sociale.
Komisioni Evropian thotë se ka rreth 32 mijë punëtorë me kontrata të përhershme dhe të përkohshme. Ata duhet ta fshijnë aplikacionin sa më shpejt që është e mundshme dhe jo më vonë se data 15 mars.
Përfaqësues të TikTok-ut thanë se vendimi i Komisionit Evropian është I mbështetur në ide të gabuara për platformën.
“Ne jemi të zhgënjyer me këtë vendim, për të cilin besojmë se është me bazë të gabuar dhe I mbështetur në keqkuptime themelore”- tha një zëdhënës i aplikacionit të famshëm.
Vitin e kaluar, TikTok-u pranoi se një pjesë e stafit në Kinë mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve evropianë.
