Austini për Izraelin: ShBA-ja plotësisht e gatshme për asete shtesë, nëse ka nevojë - NACIONALE

Austini për Izraelin: ShBA-ja plotësisht e gatshme për asete shtesë, nëse ka nevojë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha të premten se Pentagoni është i gatshëm të dërgojë më shumë ndihma ushtarake në Izrael, përderisa forcat izraelite po përgatiten për t’u futur në Gaza si kundërpërgjigje ndaj sulmit shkatërrues të Hamasit.

Austini tha se municioni, kapacitetet e mbrojtjes ajrore e pajisje e burime të tjera ishin duke “rrjedhur shpejt” drejt aleatit më të ngushtë të Uashingtonit në Lindje të Mesme. Izraeli është zotuar se do ta shtypë Hamasin, raporton agjencia “Reuters”.

“Grupi sulmues i (aeroplanmbajtëses) USS Gerald R. Ford tani është në rajon, i udhëhequr nga aeroplanmbajtësja më e madhe në botë. Kemi shtuar skuadrone të aeroplanëve luftarakë amerikanë në Lindje të Mesme dhe... qëndrojmë plotësisht të gatshëm për të dislokuar asete shtesë, nëse është e nevojshme”- tha sekretari Austin në Tel Aviv.

Ai e krahasoi Hamasin me ISIS-in dhe shtoi se Uashingtoni do ta përkrahë Izraelin në luftën kundër Hamasit dhe, në të njëjtën kohë, do ta vazhdojë përkrahjen për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus.

Zyrtarët ukrainas po shqetësohen që ndihmat ushtarake amerikane për Izraelin do t’i prekin ndihmat për Ukrainën.

“Shtetet e Bashkuara mbeten shteti më i fuqishëm në botë dhe ne mbetemi plotësisht të aftë për ta projektuar fuqinë dhe për t’i mbajtur zotimet tona e për t’i drejtuar burimet në shumë drejtime. Pra, ne do të qëndrojmë me Izraelin edhe përderisa qëndrojmë me Ukrainën”- shtoi sekretari amerikan.

Lajme të ngjashme