Vazhdon përkrahja: Pas Blinkenit, edhe sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së shkon në Izrael
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyad Austin, arriti të premten në Tel Aviv të Izraelit për t’u takuar me udhëheqës të lartë të këtij vendi dhe për t’i parë për së afërmi armët që ShBA-ja ia dërgoi shpejt Izraelit në javën e parë të luftës me Hamasin.
Austini është zyrtari i dytë amerikan i nivelit të lartë që e viziton Izraelin brenda dy ditëve. Udhëtimi i tij i shpejtë nga Brukseli, ku mori pjesë në një takim të ministrave të vendeve të NATO-s, vjen një ditë pas vizitës së sekretarit të Shtetit, Antony Blinken. Blinkeni po e vazhdon diplomacinë e vrullshme në Lindje të Mesme, duke u munduar që të shmangë një konflikt më të gjerë rajonal.
Sekretari Austin pritet të takohet me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe kabinetin qeveritar të luftës, raporton agjencia “Associated Press”.
Zyrtarët e mbrojtjes, që kanë udhëtuar bashkë me Austinin në Izrael, thanë se ai dëshiron që ta nënvizojë përkrahjen e palëkundshme të ShBA-së për popullin e Izraelit dhe të theksojë se ShBA-ja është e përkushtuar për t’u siguruar që ky shtet t’i ketë ato që i nevojiten për ta mbrojtur veten.
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes tha se ShBA-ja tashmë i ka dhënë Izraelit bomba me diametër të vogël si dhe raketa penguese për sistemin kundërajror “Iron Dome” dhe se do t’i dhurohen edhe më shumë. Lloje të tjera të municionit pritet të arrijnë të premten.
Austini ka biseduar pothuajse përditë me homologun izraelit dhe e ka drejtuar lëvizjen e shpejtë të anijeve amerikane, mbështetjes me inteligjencë dhe aseteve të tjera në drejt Izraelit e rajonit. Disa orë pas fillimit të sulmit brutal të Hamasit në Izrael, ShBA-ja dërgoi luftanije e aeroplanë në rajon.
Aeroplanmbajtësja “USS Gerald R. Ford”, bashkë me grupin sulmues të saj, tashmë ndodhet në pjesën lindore të Mesdheut, ndërsa një aeroplanmbajtëse tjetër do të niset të premten nga Virgjinia për të arritur në të njëjtin rajon.
