Blinkeni ia premton Izraelit përkrahjen e ShBA-së, e krahason Hamasin me ISIS-in
Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do ta dobësojnë përkrahjen e tyre për Izraelin, tha të enjten sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, duke shtuar se litania e brutalitetit dhe çnjerëzores e sjellin ndër mend më të keqen e ISIS-it.
“Mesazhi që unë e sjell sot në Izrael është ky: ju mund të jeni mjaftueshëm të fortë vetëm për ta mbrojtur veten, por për aq gjatë sa të ekzistojë Amerika, ju nuk do të detyroheni asnjëherë (për ta bërë këtë vetëm)”- tha kryediplomati amerikan në Tel Aviv, përderisa po qëndronte pranë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Edhe pse zyrtari i lartë amerikan nuk foli haptazi për vetëpërmbajtje, ai tha se diskutoi me Netanyahun për rëndësinë e “ndërmarrjes së të gjitha masave të mundshme paraprake për ta shmangur lëndimin e civilëve”, raporton televizioni CNN.
“Asnjë shtet nuk mundet dhe nuk do ta toleronte masakrimin e qytetarëve të tij ose thjesht të kthehet te kushtet që e kanë lejuar atë të ndodhë. Izraeli e ka të drejtën, vërtet detyrimin, që ta mbrojë veten dhe të sigurohet që kjo të mos ndodhë kurrë më”- tha Blinkeni.
Megjithatë, ai theksoi se respektimi i jetës së civilëve është ajo që i dallon vendet demokratike nga ata si Hamasi, duke thënë: “Siç diskutuam kryeministri dhe unë, ka rëndësi se si e bën Izraeli këtë.”
Blinkeni shtoi se Hamasi nuk e përfaqëson popullin palestinez.