Assange deklarohet fajtor për publikimin e sekreteve ushtarake të ShBA-së
Themeluesi i uebfaqes “WikiLeaks”, Julian Assange, të mërkurën u deklarua fajtor për sigurimin dhe publikimin e sekreteve ushtarake të ShBA-së në një marrëveshje me prokurorët e Departamentit të Drejtësisë të ShBA-së që ia siguron lirinë.
Me këtë marrëveshje, Assange-s i kërkohet që ta pranojë fajin për një pikë të vetme të aktakuzës, por gjithashtu i lejohet kthimi në Australi pa kaluar kohë në ndonjë burg amerikan, raporton agjencia “Associated Press”.
Gjykatësja Ramona Manglona e dënoi australianin me pesë vite burgim, të cilat ai tashmë i ka kaluar prapa grilave në Britani të Madhe, duke e luftuar ekstradimin në ShBA sipas aktakuzës së ngritur në bazë të pikave të Aktit të Spiunimit, që do të mund të sillte dënim të gjatë për të, nëse do të shpallej fajtor. Assange kishte qëndruar i mbyllur për shtatë vjet para kësaj në ambasadën e Ekuadorit në Londër.
Australiani qeshi lehtas, kur gjykatësja amerikane ia shqiptoi dënimin, njëkohësisht duke e shpallur “njeri të lirë”. Ky përfundim ua jep mundësinë të dyja palëve që të pretendojnë për një shkallë të kënaqshmërisë.
Departamenti i Drejtësisë, duke u ballafaquar me një të pandehur që tashmë kishte kaluar kohë të konsiderueshme prapa grilave, arriti që të zgjidhte – pa gjykim – një rast që kishte ngritur çështje ligjore problematike dhe që mund të mos arrinte kurrë para një trupi gjykues, duke e marrë parasysh ritmin e ngadalshëm të procesit të ekstradimit.
Në anën tjetër, Assange sinjalizoi një kënaqshmëri të rezervuar me këtë zgjidhje, duke thënë në gjykatë që edhe pse besonte se Akti i Spiunimit bie në kundërshtim me Amendamentin e Parë, ai i pranon pasojat e kërkimit të të dhënave të klasifikuara nga burimet për publikim.
Jennifer Robinson, njëra nga avokatet e Assange-s, u tha gazetarëve pas seancës së gjykatës se rasti “vendos një precedent të rrezikshëm që duhet të jetë shqetësim për gazetarët kudo”.