Arrestohet një izraelit, dyshohet se ishte rekrutuar nga Irani për ta vrarë Netanyahun
Një civil izraelit u arrestua muajin e kaluar nën dyshimin se ishte rekrutuar nga Irani për t’i vrarë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, ose drejtorin e agjencisë për inteligjencë të brendshme, Ronen Bar.
Agjencia Shin Bet dhe policia izraelite në një deklaratë të përbashkët thanë se i dyshuari kishte shkuar dy herë në Iran dhe kishte marrë para për t’i kryer misionet, raporton gazeta “The Times of Israel”. Ndaj të dyshuarit, emri i të cilit nuk u publikua, u ngrit aktakuzë të enjten.
Sipas hetimit të Shin Bet-it dhe policisë, civili izraelit hebre është biznesmen që ka jetuar për periudha të gjata në Turqi, ku kishte lidhje biznesore e sociale me shtetas turq e iranianë.
Në prill të vitit 2024, i dyshuari ishte pajtuar, përmes ndërmjetësimit të dy turqve, Andrey Farouk Aslan dhe Junayd Aslan, që të takohej me një biznesmen të pasur që jeton në Iran me emrin Eddy, për ta çuar përpara aktivitetin biznesor, tha agjencia për inteligjencë të brendshme e Izraelit, Shin Bet.
I dyshuari kishte udhëtuar në qytetin turk, Samandag, afër Sirisë, dhe ishte takuar me dy përfaqësues të dërguar nga biznesmeni iranian, shtoi Shin Bet-i. Në Samandag, i dyshuari izraelit dhe iraniani zhvilluan një bisedë telefonike, pasi shtetasi iranian nuk mund të largohej nga shteti i tij.
Në maj të vitit 2024, Shin Bet-i thotë se i dyshuari udhëtoi në Turqi për t’u takuar me dy shtetasit turq dhe me dy përfaqësuesit e biznesmenit iranian.
Pasi biznesmeni iranian mësa duket përsëri nuk kishte mundur që të largohej nga Irani dhe të udhëtonte në Turqi, i dyshuari izraelit arriti përmes trafikimit në Iran, në një pikëkalim kufitar tokësor afër qytetin lindor turk, Van, tha agjencia e sigurisë.
Brenda Iranit, i dyshuari iranian u takua me biznesmenin Eddy dhe një person tjetër të quajtur Khwaja, i cili e prezantoi veten si anëtar i forcave iraniane të sigurisë. I dyshuari izraelit gjithashtu e prezantoi veten si shtetas izraelit gjatë një takimi në shtëpinë e Eddyt në Iran, sipas hetimit.
Gjatë takimit, Eddy i sugjeroi izraelitit tashmë të arrestuar që të kryenin misione të ndryshme në Izrael për regjimin iranian, përfshirë dërgimin e parave ose një pistolete në vende specifike, fotografimin e zonave të ngarkuara me njerëz dhe kërcënimin e civilëve izraelitë që gjithashtu janë duke operuar në emër të Iranit dhe nuk po i kryejnë misionet e tyre, sipas të gjeturave të Shin Bet-it.
I dyshuari izraelit tha se do ta shqyrtonte këtë mundësi dhe në gusht të këtij viti ishte rikthyer në Iran. Ai ishte trafikuar në Iran përmes një pikëkalimi kufitar tokësor, i fshehur në një kamion, sipas hetimit.
Agjencia e sigurisë thotë se në shtëpinë e biznesmenit iranian, i dyshuari izraelit u takua me zyrtarë iranianë të inteligjencës, që kërkuan prej tij “t’i avanconte sulmet me vrasje” ndaj kryeministrit Netanyahu, ministrit Gallant ose kreut të Shin Bet-it, Ronen Bar.
Zyrtarët iranianë të inteligjencës gjithashtu e shqyrtuan mundësinë për vrasjen e zyrtarëve të tjerë të lartë të Izraelit, përfshirë ish-kryeministrin Naftali Bennet, sipas hetimit.
Shin Bet-i thotë se planet për këto vrasje shiheshin nga zyrtarët iranianë si hakmarrje për vrasjen e kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran në korrik. Për këtë vrasje është fajësuar Izraeli.
Sipas hetimit, burri izraelit kishte kërkuar parapagesë prej 1 milion dollarësh para se të kryente ndonjë detyrë me të cilën do të ngarkohej.
Ditën pasuese, i dyshuari izraelit u takua përsëri me zyrtarë iranianë të inteligjencës dhe ata përsëri diskutuan për planet rreth vrasjes së zyrtarëve të lartë izraelitë, tha agjencia Shin Bet.
Gjatë takimit, sipas hetimit, ishte sugjeruar gjithashtu që burri izraelit të dërgonte para në vende të ndryshme në Izrael për të tjerët që po kontrolloheshin nga Irani. Në plane të tjera gjatë takimit sugjerohej që burri izraelit të lokalizonte rusë e amerikanë dhe t’i ngarkonte ata me detyrën e vrasjes së disidentëve iranianë në Evropë dhe ShBA dhe të rekrutonte një pjesëtar të Mossad-it si agjent të dyfishtë.
Po ashtu në takim, burri izraelit kërkoi një milion dollarë si parapagesë, por agjentët iranianë të inteligjencës e refuzuan kërkesën e tij dhe i thanë se do ta kontaktonin në të ardhmen, sipas Shin Bet-it.
Sipas hetimit, para se të largohej nga Irani herën e dytë, burrit izraelit i ishin dhënë 5 mijë euro nga njëri prej agjentëve iranianë të inteligjencës për pjesëmarrje në takime./Nacionale