Armenia dhe Azerbajxhani akuzojnë njëra-tjetrën për sulme, raportohet për një të vrarë
Armenia dhe Azerbajxhani e fajësuan njëra-tjetrën për të shtëna në një zonë kufitare të enjten, nga të cilat Azerbajxhani tha se një ushtar azer është vrarë.
Përleshjet vijnë në kohën e shpeshtimit të bisedimeve diplomatike mes dy vendeve me qëllim të largimit të tyre nga ndonjë konflikt tjetër i plotë për rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut.
Kjo enklavë njihet nga komuniteti ndërkombëtar si territor i Azerbajxhanit, por popullsia atje përbëhet kryesisht prej armenëve etnikë. Ky territor ka qenë në qendër të një mosmarrëveshjeje qe disa dekada, raporton agjencia “Reuters”.
Azerbajxhani muajin e kaluar ndërtoi një pikëkalim në hyrje të Korridorit të Lachin-it, rruga e vetme që e lidh Armeninë me Karabakun. Armenia tha se kjo është shkelje flagrante e marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020, e cila ishte ndërmjetësuar nga Rusia.
Në përleshjen e së enjtes, më e reja në një varg tensionesh, të dyja palët thanë se vepruan në vetëmbrojtje dhe e fajësuan tjetrën për fillimin e të shtënave.
Azerbajxhani tha se forcat armene kishin ndërtuar një provokim të qëllimshëm dhe kishin vrarë një ushtar azer. Në anën tjetër, Armenia tha se katër ushtarë të saj u plagosën, pasi Azerbajxhani i bombardoi pozicionet e tyre afër fshatit Sotk në kufi.
Kryeministri armen, Nikol Pashinian, tha se ky incident është përpjekje e Azerbajxhanit për t’i penguar bisedimet e paqes mes palëve.
Kryediplomatët e të dyja vendeve u takuan në Uashington për të zhvilluar bisedime që zgjatën katër ditë në fillim të majit, por ato nuk sollën ndonjë rezultat të rëndësishëm. Pashiniani pritet të takohet me presidentin azer, Ilham Aliyev, në Bruksel më 14 maj për të zhvilluar bisedime të ndërmjetësuara nga BE-ja me qëllim të uljes së tensioneve.
