ShBA-ja ia merr Rusisë çështjen Armeni – Azerbajxhan, të dielën bisedime në Uashington - NACIONALE

ShBA-ja ia merr Rusisë çështjen Armeni – Azerbajxhan, të dielën bisedime në Uashington

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Armenia dhe Azerbajxhani do të zhvillojnë një rund të ri bisedimesh në Uashington të dielën në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet, tha të shtunën një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Armenisë.

Tensionet mes këtyre dy vendeve janë rritur përsëri për rajonin e Nagorno-Karabakut, ku paqeruajtësit rusë ishin vendosur më 2020 për t’i dhënë fund një lufte të shkurtër, e dyta që u zhvillua mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për këtë enklavë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991, raporton agjencia “Reuters”.

Rajoni malor njihet nga komuniteti ndërkombëtar si pjesë e territorit të Azerbajxhanit, por banohet kryesisht nga armenët etnikë.

“Nga 30 prill, ministri i Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzoyan, do të jetë në Uashington për një vizitë pune. Rundi i ardhshëm i diskutimeve mes Armenisë dhe Azerbajxhanit është caktuar”- shkroi në “Facebook” zëdhënësja e ministrisë armene, Ani Badalyan.

Pavarësisht përpjekjeve të gjata për të ndërmjetësuar mes tyre, Armenia dhe Azerbajxhani ende nuk kanë arritur marrëveshje të paqes, me të cilën do t’i zgjidhnin çështjet e pazgjidhura, përfshirë demarkacionin dhe kthimin e të burgosurve.

Të dielën e kaluar, Azerbajxhani vendosi një pikë të re kontrolli në rrugën për në Karabak, në atë që njihet si korridori i Lachin-it. Armenia e cilësoi këtë veprim si shkelje të rëndë të armëpushimit të vitit 2020.

Lajme të ngjashme