Turqia thotë se Armenia ia ka ofruar “dorën e miqësisë” pas tërmetit, ministri armen viziton Ankaranë - NACIONALE

Turqia thotë se Armenia ia ka ofruar “dorën e miqësisë” pas tërmetit, ministri armen viziton Ankaranë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha të mërkurën se Armenia ia ka zgjatur vendit të tij “dorën e miqësisë” pas dy tërmeteve të javës së kaluar, që kanë shkaktuar mbi 35 mijë viktima në Turqi.

“Armenia e zgjati dorën e miqësisë në këtë kohë të vështirë dhe tregoi solidaritet e bashkëpunim”- tha ministri turk në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun armen, Ararat Mirzoyan, në Ankara.

Cavusoglu shtoi se vizita e ministrit armen në Turqi është “kuptimplote”, raporton agjencia “Anadolu”.

Të shtunën, një pikëkalim kufitar mes Armenisë dhe Turqisë u hap për herë të parë në 35 vjet për ta lejuar kalimin e ndihmave humanitare.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Armenisë, Vahan Hunanyan, tha se ministri Mirzoyan do të takohet me shpëtuesit armenë që janë duke kryer operacione të kërkim-shpëtimit në Adiyaman të Turqisë.

Turqia dhe Armenia kanë pasur marrëdhënie të tensionuara historikisht për shkak të vrasjes masive të armenëve gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, kur atëherë luftonte Perandoria Osmane. Disa shtete i cilësojnë gjenocid këto vrasje.

Për më tepër, në luftën e shkurtër mes Azerbajxhanit dhe armenëve etnikë në Nagorno-Karabak më 2020, Turqia e ndihmoi ushtarakisht Azerbajxhanin.

Lajme të ngjashme