Kujt po i referohet presidenti azer: “Armenia e ka humbur mundësinë për t’u bërë shtet i pavarur” - NACIONALE

Kujt po i referohet presidenti azer: “Armenia e ka humbur mundësinë për t’u bërë shtet i pavarur”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha të enjten se Armenia e ka humbur mundësinë për t’u bërë shtet i pavarur.

“Ata e humbën mundësinë për t’u bërë një shtet i pavarur. Ata u bënë tërësisht të varur, një lloj kolonie e një vendi tjetër dhe tash ndoshta edhe e vendeve të tjera. Kështu, ata e humbën mundësinë për t’u bërë vërtet të pavarur dhe për ta ndërtuar të ardhmen e tyre për shkak të agresionit kundër nesh”- tha presidenti azer në Forumin Global të Bakusë.

Ai shprehu shpresë se aktorët e tjerë ndërkombëtarë do ta bindin Armeninë për të nënshkruar një marrëveshje të paqes me Azerbajxhanin, raporton agjencia “Anadolu”.

Aliyev-i i përmendi pesë parimet që ia paraqiti Armenisë vitin e kaluar, për të cilat tha se “do të mund të ishin bazë për një marrëveshje të paqes me Armeninë”.

Në pesë parimet e Bakusë bëhet thirrje për njohjen reciproke të sovranitetit dhe integritetit territorial, heqja dorë nga pretendimet territoriale ndaj njëra-tjetrës, përmbajtja nga kërcënimi i sigurisë së palës tjetër, përcaktimi i kufirit, vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe hapja e linjave të transportit e komunikimit.

Aliyev-i tha se Armenia ka zbatuar “një politikë të spastrimit etnik kundër azerëve dhe i ka dëbuar ata nga Karabaku dhe ka krijuar vuajtje për një milion azerë”.

“Por porosia ime është që ne morëm hak në fushën e betejës. Nuk kemi kryer ndonjë krim lufte, ndryshe nga armenët. Nuk kemi kryer gjenocid, ndryshe nga ajo që armenët na e bënë neve, dhe morën hak në fushën e betejës. Prandaj tani është koha për paqe”- shtoi ai.

Marrëdhëniet mes dy republikave ish-sovjetike nuk janë aspak miqësore. Në vitin 1991, armenët kishin marrë nën kontroll një rajon që nga komuniteti ndërkombëtar njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Më 2020, palët zhvilluan një luftë me mijëra të vrarë dhe Azerbajxhani e ktheu kontrollin në një pjesë të Karabakut dhe të zonave përreth tij.

Lajme të ngjashme