Arabia Saudite jep lajm jo të mirë për naftën, mund t’i prekë xhepat e vozitësve - NACIONALE

Arabia Saudite jep lajm jo të mirë për naftën, mund t’i prekë xhepat e vozitësve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Arabia Saudite të mërkurën konfirmoi se do ta vazhdojë masën e zvogëlimit të prodhimit prej një milion fuçie naftë në ditë deri në fund të vitit.

Ky njoftim mund të shkaktojë shtrenjtim të mëtejmë të karburanteve, që tash për tash po shiten për rreth 90 dollarë për fuçi. Pakësimi i prodhimit, i njoftuar së pari nga Arabia Saudite dhe Rusia në korrik, i ka rritur çmimet e naftës, e ka pasuruar Moskën për ta zhvilluar luftën e saj në Ukrainë dhe i ka ndërlikuar përpjekjet globale për ta ulur inflacionin, raporton agjencia “Associated Press”.

Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite konfirmoi se masa për prodhim të pakësuar do të vazhdojë deri në fund të vitit përmes një deklarate të shkurtër të publikuar në uebfaqen e saj të mërkurën. Në të thuhet se ky shtet do të vazhdojë që të prodhojë nga nëntë milionë fuçi naftë në ditë në nëntor dhe dhjetor.

Çmimi i një fuçie naftë të papërpunuar në bursën amerikane për muajin nëntor u rrit për 41 centë dhe shkoi në 89,23 dollarë. Çmimi për një fuçi naftë për muajin dhjetor në bursën “Brent” u rrit për 21 centë dhe shkoi në 90,92 dollarë.

Arabia Saudite është duke llogaritur në çmime të larta të karburanteve për ta mbështetur financimin e projektit ambicioz, “Vision 2030”, të princit Mohammed bin Salman për t’i dhënë drejtim të ri ekonomisë, për ta zvogëluar varësinë e vendit nga nata dhe për të hapur vende të reja pune për të rinjtë.

Lajme të ngjashme