Bie çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare - NACIONALE

Bie çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Çmimet e naftës shënuan rënie për rreth 1 për qind në tregtinë e hershme aziatike të martën, pasi ra në pikën më të ulët në tri javët e fundit në periudhën e kaluar tregtare. Kjo rënie erdhi pas fuqizimit të vlerës së dollarit dhe sinjaleve të përziera rreth furnizimit.

Çmimi në bursën “Brent” për dërgesat e dhjetorit shënoi rënie për 99 centë për fuçi ose 1,09 për qind dhe ra në 89,72 dollarë për fuçi, ndërsa në bursën “West Texas Intermediate – WTI” pati rënie prej 78 centësh për fuçi ose 0,88 për qind, raporton agjencia “Reuters”.

Më herët të hënën, vlera e dollarit amerikan shkoi në nivelin më të lartë në dhjetë muajt e fundit, pasi Shtëpia e Bardhë e shmangu mbylljen e institucioneve federale dhe të dhënat ekonomike i mbështetën pritjet që Rezerva Federale do ta mbajë shkallën e interesit më lart për kohë më të gjatë, masë që mund ta ngadalësojë rritjen ekonomike.

Shkalla më e lartë e interesit, bashkë me vlerën më të fuqishme të dollarit, e bëjnë naftën më të shtrenjtë për ata që mbajnë valuta të huaja dhe kjo gjë mund ta dëmtojë kërkesën për blerje.

Njoftimi i ministrit të Energjisë të Turqisë se ky shtet do t’i rinisë operacionet këtë javë në një naftësjellës nga Iraku, që ka qenë i pezulluar për rreth gjashtë muaj, gjithashtu ndikoi në çmimet e karburanteve.

Organizata OPEC+, ku bëjnë pjesë shtetet që eksportojnë naftë, pritet që t’i mbajë të pandryshuara masat për nivelin e prodhimit në takimin e së mërkurës, duke e mbajtur furnizimin të shtrënguar.

Sipas një ankete të agjencisë “Reuters”, Arabia Saudite ka gjasa që ta rrisë çmimin e shitjes për nëntor të naftës së papërpunuar për në Azi për muajin e pestë radhazi.

Lajme të ngjashme