AP-ja i godet protestuesit izraelitë: Po kërkojnë demokraci – po pushtimi i palestinezëve?
Izraeli është goditur nga një valë e protestave masive me thirrje për mbrojtjen e demokracisë së vendit. Megjithatë, lëvizjes pro demokracisë I mungon ndonjë porosi e qartë kundërshtimi ndaj regjimit ushtarak pa fund të Izraelit mbi miliona izraelitë.
Kjo kontradiktë pasqyron një besim të gjerë në mesin e izraelitëve hebraikë se konflikti me palestinezët është edhe i vështirë për t’u zgjidhur, edhe disi i ndarë nga mosmarrëveshja e brendshme e Izraelit, raporton agjencia “Associated Press”.
Kritikuesit e lëvizjes protestuese, përfshirë palestinezët, thonë se ky është një kënd i vdekur domethënës dhe se mbrojtja e tillë selektive e ideve demokratike tregon se sa të shkëputur janë izraelitët nga realiteti i vrazhdë i atyre që jetojnë nën pushtimin e Izraelit.
“Është shumë ironike që ata po flasin e po protestojnë për demokraci, përderisa, në të njëjtën kohë, ka qenë diktaturë për palestinezët për 75 vjet”- tha Diana Buttu, komentuese palestineze. “Ata kanë frikë se privilegjet dhe të drejtat e tyre disi do të preken, por nuk do ta bëjnë lidhjen” me pushtimin, shtoi ajo.
Protestuesit po e kundërshtojnë propozimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për ta dobësuar sistemin e drejtësisë përmes kufizimit të kompetencave të gjykatave mbi vendimmarrjen zyrtare dhe legjislacionin.
Kritikët e shohin këtë propozim si sulm ndaj themeleve demokratike të Izraelit dhe thonë se ai do ta hapë derën për shkelje serioze të lirive personale dhe të drejtave të grave, komunitetit LGBTQ+ dhe pakicave, që do ta vënë Izraelin në rrugën drejt autokracisë.
Protestuesit vijnë nga një masë e gjerë e shoqërisë izraelite. Ata brohorasin “demokraci ose rebelim”, mbajnë parulla ku shkruhet “Izraeli do të mbetet demokraci” dhe kanë shpalosur një kopje gjigante të deklaratës së pavarësisë, e cila shërben si ligj jozyrtar i të drejtave.
Megjithatë, ajo që mungon në protestat e vrullshme është ndonjë referencë kuptimplote ndaj pushtimit 56-vjeçar nga Izraeli të tokave që palestinezët i kërkojnë për shtetin e tyre në të ardhmen. Një grup i vogël i aktivistëve që valëvitin flamuj palestinezë kanë marrë pjesë, por mbeten kryesisht në qoshe.
Në disa raste, ata janë izoluar nga organizatorët, të cilët janë frikësuar se përmendja e pushtimit disi do ta dëmtojë lëvizjen protestuese. Qytetarët palestinezë të Izraelit, të cilët përbëjnë një të pestën e popullsisë, kanë qëndruar jashtë protestës pjesërisht për shkak të shpërfilljes së pushtimit.
“Protesta është kundër pakësimit të hapësirës demokratike për hebrenjtë. Shumica e hebrenjve në Izrael nuk kanë problem me zbatimin e regjimit të aparteidit nga Izraeli në Bregun Perëndimor”- tha Dror Etkes, aktivist veteran kundër pushtimit.
Agjencia “Associated Press” kontaktoi disa udhëheqës të protestës, të cilët ose refuzuan që të komentonin, ose nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth kontradiktave.
Izraeli e mori Bregun Perëndimor në luftën e vitit 1967. Izraeli u tërhoq nga Rripi i Gazës më 2005, dhe, bashkë me Egjiptin, zbaton një bllokadë ndaj këtij territori. Më shumë se 700 mijë ardhës tani jetojnë në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin lindor.
Palestinezët në Bregun Perëndimor jetojnë nën vetëqeverisje të kontrolluar autonome, por Izraeli kontrollon pjesë të rëndësishme të jetës së tyre, përfshirë lëvizjet dhe udhëtimin, lejet e ndërtimit në zona të caktuar dhe pjesë të konsiderueshme të ekonomisë. Ushtria izraelite shpesh vë në shënjestër zona palestineze, duke i arsyetuar këto veprime si përpjekje për t’i zmbrapsur militantët.
