Amerikanët i thanë Ukrainës në Berlin se duhet të tërhiqet nga Donetsku për paktin e paqes
Negociatorët amerikanë i kanë thënë Ukrainës gjatë bisedimeve për paqe në Berlin se duhet të pajtohet për t’i tërhequr forcat nga rajoni lindor i Donetskut si pjesë e ndonjë marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, tha një zyrtar i afërt me çështjen.
Burimi, duke folur në kushte anonimiteti kur negociatorët ukrainas e amerikanë e përmbyllën ditën e dytë të bisedimeve jetike në kryeqytetin gjerman, tha se Kievi deshi diskutime të mëtejme. Një person tjetër i afërt me bisedimet pranoi se ende kishte pengesa të mëdha për t’u kaluar në mënyrë që të arrihej një pakt për territoret, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Duke e quajtur “të dhimbshme” çështjen e koncesioneve territorial, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më vonë gazetarëve iu tha: “Thënë sinqerisht, ende kemi pozicione të ndryshme.” Megjithatë, ai shtoi se beson që ndërmjetësit amerikanë do të ndihmonin për gjetjen e një kompromisi.
Sipas tij, negociatorët ukrainas do t’i vazhdojnë konsultimet me homologët amerikanë dhe se Ukraina ka nevojë për të kuptuar konkret rreth garancive të sigurisë, përfshirë vëzhgimin e armëpushimit, para se të marrë ndonjë vendim që ka të bëjë me vijat e frontit.
“Unë nuk mendoj se [ShBA-ja] ka kërkuar ndonjë gjë. E shoh palën tonë si partnerë strategjikë dhe do të thosha se kemi dëgjuar për çështjen e territoreve në lidhje me vizionin e Rusisë ose kërkesat e Rusisë nga [ShBA-ja]. I shohim ato si kërkesa nga Federata Ruse” – deklaroi Zelensky.
Zyrtarët amerikanë iu thanë gazetarëve përmes një video-lidhjeje se kishin siguruar marrëveshje për 90 për qind të çështjeve. Edhe pse çështjet territoriale mbeten për t’u zgjidhur, njëri nga ta tha: “Ne kemi shumë zgjidhje të ndryshme për t’i kaluar dallimet e që po ua sugjerojmë atyre.”
Ukraina më parë ka thënë se nuk do t’i dorëzojë territore Rusisë, e cila e ka kapur gati 20 për qind të vendit fqinj në lindje dhe në jug që nga fillimi i pushtimit të plotë më 2022.
Një burim evropian i njoftuar rreth bisedimeve të fundit tha se Rusia nuk i ka ndryshuar kërkesat e saj rreth territoreve. “Atmosfera është e mirë, por qëllimet mbeten goxha larg mes vete në bërthamë” – tha ky burim.
Kievi është nën presion të madh nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të bërë koncesione me Rusinë që t’i jepet fund konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Një zyrtar amerikan tha më vonë para gazetarëve se, sipas marrëveshjes që po diskutohet në Berlin, Ukraina do të merrte garanci të sigurisë të ngjashme me ato që ofron në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, me të cilin aleancës i kërkohet që t’i dalë në mbrojtje cilitdo shtet anëtar që sulmohet.
Një zyrtar tjetër amerikan tha se Rusia është e hapur ndaj idesë që Ukraina të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe se Trumpi dëshiron që ta parandalojë depërtimin e Rusisë më thellë drejt perëndimit në Evropë.
Zelensky pritej të zhvillonte një telefonatë me Trumpin të hënën në mbrëmje, ndërsa grupet punuese pritet të takohen në ShBA fundjavën që po vjen, me gjasë në Miami, tha njëri nga zyrtarët./Nacionale