Ambasadori i ri amerikan në Izrael fut në murin e Jerusalemit një lutje të Trumpit
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Mike Huckabee, të premten u shfaq te Muri Perëndimor, vendi më i shenjtë i lutjeve për hebrenjtë në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit.
Huckabee futi një lutje të shkruar në letër në këtë mur, për të cilën tha se ishte e shkruar me dorë nga presidenti amerikan, Donald Trump. “Këto janë inicialet e tij, D. T.” – tha ambasadori i ri amerikan, duke e shfaqur letrën para mediave, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Në copën e vogël të letrës, me shkronja të zeza e të mëdha, në gjuhën angleze, shkruhet: “PËR PAQE NË IZRAEL. D.T.”
Në aktin e parë si ambasador, Huckabee tha se Trumpi i ka thënë që t’ia marrë lutjen dhe të lutet për paqe në Jerusalem.
Ambasadori gjithashtu tha se janë duke u bërë të gjitha përpjekjet që të kthehen në shtëpi pengjet që janë duke u mbajtur ende nga Hamasi në Gaza.
Dikur kandidat për president, Huckabee e ka pranuar mbështetjen e tij në të kaluarën për të drejtën e Izraelit që ta aneksojë Bregun Perëndimor dhe për ta inkorporuar popullsinë palestineze të atij territori në Izrael.
Gjatë mandatit të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë, Trumpi e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit pavarësisht nga ankesat e palestinezëve dhe e zhvendosi ambasadën e Shteteve të Bashkuara nga Tel-Avivi në qytetin e shenjtë. Palestinezët duan që pjesa lindore e qytetit të kapur nga Izraeli në luftën e vitit 1967 të jetë kryeqytet i një shteti të tyre në të ardhmen./Nacionale