AfD-ja e Gjermanisë i rikthen dy politikanët që ishin larguar shkaku i komenteve për nazizmin
Dy politikanë të partisë gjermane të së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), të cilët ishin margjinalizuar për shkak të komenteve që i kishin bërë rreth nazistëve, janë kthyer në grupin e saj parlamentar pas performancës historike të partisë në zgjedhjet që u mbajtën para pak ditëve.
Maximilian Krah kishte dhënë dorëheqje nga bordi ekzekutiv federal i AfD-së para zgjedhjeve evropiane në qershorin e vitit të kaluar, pasi në një gazetë italiane kishte thënë se jo të gjithë anëtarët e njësitit SS të Adolf Hitlerit kishin qenë “kriminelë automatikisht”, raporton gazeta “The Guardian”.
Matthias Helferich ishte zgjedhur deputet i Gjermanisë më 2021, por e kishte dorëzuar ulësen pasi kishte nxitur zemërim me një deklaratë në një bisedë të rrjedhur në internet se ai ishte “fytyra miqësore e nazistëve”. Ai ka këmbëngulur se ishte thjesht duke bërë “parodi” me majtistët.
Dorëheqja e Krah-ut erdhi pas presionit nga partitë e tjera të së djathtës ekstreme, përfshirë atë të francezes Marine Le Pen, partisë “Lega” të Italisë dhe Partisë Popullore të Danimarkës.
Krah-u dhe Helferich-u tani janë pjesë e grupit parlamentar të zgjedhur rishtazi pas takimit të tij inaugurues të martën, në të cilin u vendos që dy deputetët të mos jenë më të përjashtuar.
Vendimi u njoftua në margjina të tubimit në Bundestag. Në grupin e ri gjithashtu përfshihet edhe Björn Höcke, figurë qendrore e krahut më ekstrem të AfD-së, i njohur si “Der Flügel”. Ish-mësuesi i historisë është dënuar për përdorimin e sloganit të ndaluar nazist, “Gjithçka për Gjermaninë”, në fjalimet e mbajtura në fushatë.
Pas ripranimit, Krah-u dhe Helferich-u mund të largohen nga grupi vetëm me shumicë prej dy të tretat e votave./Nacionale